Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se nga ky i fundit u njoftuan për dialogun me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse tha se këtë njoftim e morën dy javë me vonesë, ai ka kërkuar nga Kurti që të jetë i guximshëm në dialog me Serbinë.
Ai thotë se kreu i Qeverisë duhet që të kërkojë marrëveshje përfundimtare që garanton njohje, marrëveshje që do ta mbështes edhe LDK-ja.
“U informuam për dialogun edhe pse kjo ftesë vjen dy jave pas dialogut. I kërkuam kryeministrit të jetë i guximshëm që të shkojë në dialog, të kërkojë marrëveshje përfundimtare që sjell edhe njohjen e Kosovës”.
“Ne e mbështesim një marrëveshje e cila sjell njohjen e Kosovës, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe sovranitetin territorial. Në fund i kërkuam që të raportoje në Kuvendin e Kosovës, para dhe pas dialogut. Presim që procesi i dialogut të marrë hapa të rinj zhvillimor”.