Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të ciklit debatues e diskutues me qytetarë “LDK ju dëgjon”, ka qëndruar sot në Obiliq.
Nga afër ka dëgjuar sfidat dhe problemet e rënda sociale e ekonomike në këtë kohë krize që qytetarët po përballën çdo ditë.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur që në kohë krize të qëndrojë spektatore, ajo në vend që të marrë hapa konkret në lehtësimin e krizës ekonomike, po e rëndon atë, duke mos vepruar e duke u sillur që gjithçka është në suaza normale. Inflacioni sot ka arritur në shifra rekorde ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës, ngritja e çmimeve të produkteve bazike është dyfishuar, andaj dhe lufta për ekzistencë është beteja me të cilën po përballën shumë qytetarë”, ka thënë kryetari Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka folur edhe për krizën energjetike, për të cilën tha se e ka rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve tanë.
“Kriza energjetike ka rënduar jetën e qytetarëve; para nesh kemi një dimër të vështirë, do të përballemi me mungesë të energjisë elektrike. Një Qeveri e përgjegjshme që ka kaluar një dimër në krizë deri tash do të duhej të bënte të gjitha përgatitjet për të kaluar këtë dimër më lehtë. Kjo papërgatitje e thellon edhe më tutje krizën e cila do të sjellë pasoja për qytetarët tanë dhe për industrinë në vendin tonë”, tha ndër të tjerash Abdixhiku.
Ndërsa për mungesën e investimeve të huaja që po i shkaktojnë dëme vendit tonë, kryetari Abdixhiku tha:
“Në rrafshin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, sot Kosovës më shumë se kurrë i mungojnë investitorët strategjik për shumë arsye; vonesa të vazhdueshme si pasojë e byrokracisë, ambient i pafavorshëm politik e ekonomik etj. Paramendojeni se cila kompani me fuqi të mëdha financiare do rrezikonte kapitalin e vet, kur e dëgjon kryeministrin e vendit tonë, të flet në çdo intervistë për luftë. Ky diskurs është shumë i rrezikshëm jo vetëm për rrafshin ekonomik por edhe atë politik.”
Abdixhiku ka folur edhe për vizionin e LDK-së si dhe për ofertën që ka për qytetarët karshi çdo sfide.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ofruar plan konkret për të zgjidhur dhe kaluar sa më lehtë krizën ekonomike. Për më tepër, platformën tonë po e hartojmë duke dëgjuar përditë qytetarët e Kosovës. Nevojave dhe kërkesave të tyre ne u po ju japim përgjigje e alternativë, andaj ky diskutim e shkëmbim idesh e mendimesh do të jetë boshti i planit tonë qeverisës”, ka përfunduar kryetari Abdixhiku.