Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kosova për herë të parë në historinë e saj do e kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit.
Sipas tij, ky rezultat është si pasojë e paaftësisë së qeverisë Kurti.
“Jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit. Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk e kupton ekonominë, pasi sipas tij për katër vite është rritur deficiti tregtar e duke e bërë Kosovën si vendin më të varur nga importi.
“Paaftësia kushton. Investime nuk ka. Projekte të mëdha nuk ka. Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populliste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dijnë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten. Kosova meriton më mirë. Jemi pak muaj larg ndryshimit të madh. Më 9 shkurt do ta bëjmë këtë ndryshim të madh bashkë”, ka shkruar tutje kreu i LDK-së.