Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se masakra e Reçakut ishte moment kthese për botën demokratike.
Ai përmes një deklarate për medie, në 23 vjetorin e masakrës së Reçakut, përkujtoi burrat e gratë, fëmijët e pleqtë që përjetuan krimin më mizor në janarin e vitit 1999, në Reçak.
“23 vjet më parë, në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, ndodhi Masakra e Reçakut, njëra ndër krimet më makabre të regjimit serb mbi popullatën civile të Reçakut. Akti barbar e çnjerëzor i shtetit serb mbi njerëz të pafajshëm alarmoj opinionin ndërkombëtar, madje ish-Ambasadori i OSBE-së, William Walker i tronditur e pa me sytë e tij këtë ngjarje të tmerrshme. Ai mbajti gjallë sensibilizimin ndërkombëtar për këtë krim monstruoz të kryer nga Serbia”, shkroi Abdixhiku.
Tutje, ai shtoi se “Vrasja dhe masakrimi i 45 civilëve të Reçakut ishte moment kthese dhe tronditje për botën demokratike, ngase po bëhej krim kundër njerëzimit mu në mes të Evropës, për çka edhe dy muaj më pas filloj intervenimin ushtarak”.
“Në këtë përvjetor dhe jo vetëm, ne përkulemi dhe kujtojmë me nder e krenari secilin martir të rënë për lirinë e Kosovës në Reçakun e vitit 1999, e gjithandej Kosovës. Lavdi e përjetshme për të rënët në masakrën e Reçakut”, shkruan ai.
Sot, anëtarë të Kryesisë, Dega e LDK-së në Shtime e familjarë bënë homazhe para Kompleksit Memorial në Reçak.