Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar mision të përfunduar kthimin edhe të 55 qytetarëve nga vende të ndryshme të botës në Kosovë.
Ai ka thënë se të gjithë janë vendosur në Qendrën e Studentëve të shndërruar në karantinë ku do të qëndrojnë për 14 ditë.
Abdixhiku i ka lutur të gjithë shtetasit kosovarë për durim duke apeluar që nëse nuk kanë urgjencë kthimi të mos paraqiten në ambasadat e Kosovës nëpër botë.
Postimi i plotë i Lumir Abdixhikut në Facebook:
Mission complete!
Edhe 55 qytetarë tanë – nga vende të ndryshme të botës – i kthyem sot në Kosovë. Familjarë, gra, burra, të moshuar, mirë se vini në shtetin tuaj. Të njëjtit u vendosën në Qendrën e Karantinës për 14 ditë. Aty do të kenë kujdesin e mjaftueshëm për qëndrim.
Si Ministër në detyrë do të vazhdoj koordinimin institucional të kthimit deri në momentin e fundit. I falenderojë të gjithë të angazhuarit në ministrinë tonë, ata në diplomaci, polici, shëndetësi e ushtri që mundësuan këtë kthim. Po i jepni kuptim shtetit.
I lus shtetasit e Kosovës që nuk kanë urgjencë kthimi të mos paraqiten në ambasadat tona nëpër botë. Si shtet i ri kemi nevojë për ndihmën tuaj; për durim. Po patët mundësi, kudo që jeni në botë, qëndroni në shtëpi.