Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në tubimin elektoral në Lipjan prezantoi kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Imri Ahmetin, raporton Ekonomia Online.
Para mbështetësve të tubuar, Abdixhiku e cilësoi Lipjanin si model të qeverisjes së mirë” gjatë tri mandateve të udhëhequra nga Imri Ahmeti.
“Sa kënaqësi e sa krenari të jem sonte këtu, në mesin tuaj, mes mijëra mbështetësve që kushtrojnë fort, kushtrojnë me zemër, kushtrojnë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, shpresën e parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës. Për tri mandate me radhë, ky qytet i harruar e i lënë pas dore, u shndërrua në një vatër të zhvillimit, të prosperimit, të mirëqenies e përparimit.
Për tri mandate me radhë, Lipjani i njerëzve të mbarë e punëtor, u bë shtëpi e qytetarëve të shumtë, që sot jetojnë këtu, punojnë këtu, rrisin familje këtu e do të plaken këtu.
Në krye të një transformim të tillë, në krye të një ndryshimi që shënon kohë e epokë, qëndron një njeri, një burrë i punës, një burrë i fjalës, një mik i secilit, në krye të Lipjanit të sotëm qëndron një udhëheqës me vizion – Kryetari jonë, kryetari juaj, Imri Ahmeti.
Tri mandate me radhë, Lipjani ka ecur përpara. Tri mandate me radhë, ky qytet është shndërruar në model të qeverisjes lokale. Tri mandate me radhe kemi qenë krenar. Sot jemi krenar. LDK Lipjanin e ka model të qeverisjes së mbarë.
Dhe nga Lipjani sot, LDK dërgon mesazhin e qartë. Nëse dikush kërkon të shohë se çfarë do të thotë qeverisje e mirë, le të vijë në Lipjan. Nëse dikush kërkon të shohë se si një komunë mund të shndërrohet nga një qytet periferik në qendër të zhvillimit, le të vijë në Lipjan. Nëse dikush do të shoh se si punohet, le të vijë në Lipjan. Këtu janë ndërtuar shkolla moderne, rrugë të reja, qendra mjekësore, nënkalime, parkingje, sheshe, është investuar në infrastrukturë, për secilën lagje dhe për secilin fshat.
Lipjani sot është qytet i gjallë, qytet ku rinia sheh perspektivë, qytet ku bizneset kanë mundësi të rriten, qytet ku çdo familje ndjehet e përfaqësuar. Për këtë arsye, Lipjani është shndërruar në një histori suksesi që ka bërë jehonë në gjithë Kosovën.
Prandaj Imri Ahmeti nuk është thjesht kryetari i Lipjanit. Ai është shembulli i një udhëheqësi që punon çdo ditë, që e mban fjalën, që nuk i shmanget përgjegjësive, që ballafaqohet me sfidat dhe që i zgjidh ato me mençuri dhe vendosmëri”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së po ashtu theksoi se qyteti është shndërruar në shembull zhvillimi, me investime në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi.
“Për tri mandate ai ka ditur të udhëheqë me dinjitet, me profesionalizëm dhe me transparencë. Ai nuk ka shkuar pas premtimeve të thata; ai ka sjellë projekte konkrete. Nuk ka ndërtuar iluzione; ka ndërtuar shkolla, çerdhe, qendra shëndetësore, rrugë e ura. Nuk ka bërë propagandë; ka bërë punë. Dhe kur flasim për propagandë, nuk mund të mos përmendim dhe për garën që kemi përballë.
Këtë herë, përballë Imri Ahmetit nuk kemi thjesht një kundërshtar. Kemi dy. Të dy, janë bërë bashkë vetëm për një qëllim: për ta ndalur Imrinë. Janë bërë bashkë ata që dikur kishin lënë këtë qytet në hijet e lloçit, territ e vet krimit. I kemi parë, i njohim mirë, nuk kthehemi te ta! I kemi parë, i njohim mirë, Lipjani nuk kthehet në krim. Të dënuarit për krim nuk janë ndryshim! Të dënuarit për krim nuk janë për përfaqësim. Të dënuarit për krim nuk kanë vend në Lipjan, por në një dhomë dy me dy!
Le t’i pensionojmë përfundimisht!
Janë bërë bashkë dhe të tjerët turistë; që u bie në mend për Lipjanin tuaj vetëm për votë e vetëm në fushatë! Ata kanë kanë veç britma e piskama, kanë veç mllef e nervozë, kanë sharje e përçarje– prandaj s’përfaqësojnë asgjë. Turistët vijnë e shkojnë, si të tjerët para tij. Do të shkojë dhe ky. Pra janë bërë bashkë të gjithë. Krim e propagandë! U janë vërsulur kryetarit tuaj, me të cilën njihet një Kosovë krenar!
Por le ta dinë këta të dy, le ta kuptojnë qartë. Kanë zgjedhur kundërshtar të gabuar përballë! Kanë zgjedhur një Imri që ka popullin e Lipjanit pas. Dhe me 12 tetor, me të parën, kanë për të marrë verdiktin qytetar. FITORE PA BALOTAZH!
Lipjani nuk bie pre e propagandës. Lipjani nuk e shpërfill punën. Lipjani nuk ndalet nga intrigat. Sepse Lipjani e njeh mirë të kaluarën, e sheh të tashmen dhe beson në të ardhmen. Dhe kjo e ardhme është vetëm me Imri Ahmetin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por Imri Ahmeti nuk është vetëm. Pas tij qëndron një ekip i madh, lista e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal të Lipjanit. Një listë me njerëz të ndershëm, me profesionistë nga çdo fushë, me mësues, mjekë, inxhinierë, fermerë, të rinj e të reja. Ky është ekipi i shpresës, i besës dhe i punës, ekipi që do ta çojë përpara Lipjanin edhe katër vite të tjera. Në mandatin e kaluar, Imri Ahmeti fitoi me të parën. Ai i mposhti të gjithë. Dhe kësaj radhe, përballë një aleance të pamoralshme, përballë një bashkimi të të dështuarve, Lipjani do të flasë edhe më fuqishëm. Do të flasë me votë të pastër, me votë të sigurt, me votë të vendosur për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nuk kemi luksin të humbim kohë me balotazhe. Nuk kemi luksin të eksperimentojmë me aventuristë e turistë. Lipjani ka nevojë për stabilitet, për vazhdimësi dhe për punë të përditshme. Dhe këtë punë e garanton vetëm Imri Ahmeti. Dhe sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për këtë bosht të arsyes, për këtë forcë të shpresës, për këtë garanci të së ardhmes. Lipjani është dëshmi se si qeverisë LDK. Lipjani është shembulli se si punon LDK. Prandaj, fitorja këtu është mesazhi më i fuqishëm për gjithë Kosovën: se vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ky vend ecën përpara”, shtoi Abdixhiku.

