Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një tubim elektoral në Suharekë prezantoi kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Ardian Shalën, raporton Ekonomia Online.
Ai e quajti Suharekën qytet të dëshmorëve, të qëndresës dhe krenarisë kombëtare, duke theksuar se ky vend meriton një udhëheqje të ndershme dhe me vizion.
“Suhareka, qyteti i Ukë Bytyqit, kryetarit ikonik të këtij qyteti. Suhareka, qyteti i dëshmorëve, i luftës dhe i patriotëve të mëdhenj. Ky është qyteti i besës, i qëndresës, i krenarisë sonë kombëtare. Ky është qyteti që ka dhënë shumë për lirinë, që ka sakrifikuar shumë për shtetin, që ka qenë gjithmonë shtylla e qëndresës kosovare. Suhareka është zemra e gjallë e këtij vendi. Është qyteti i njerëzve të ndershëm e punëtorë, i rinisë që ëndërron dhe punon, i familjeve që sakrifikojnë për fëmijët e tyre, i grave e burrave që e mbajnë fjalën dhe nuk e shkelin kurrë besën. Ky qytet është vendi i traditës, i kulturës dhe i punës. Dhe të jem sot këtu mes jush është nder i madh, përgjegjësi e madhe dhe emocion i veçantë. Suhareka ka kaluar periudha të rënda. Ka parë dhimbje, ka përjetuar sakrifica, por gjithmonë është ngritur mbi plagët e veta. Ka rindërtuar vetën, ka ringjallur jetë, ka mbajtur gjallë shpresën. Ky qytet nuk është dorëzuar kurrë”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së tha se Ardian Shala është kandidati i shpresës dhe i punës, i cili njeh hallet e qytetarëve dhe premton zhvillim konkret në bujqësi, arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.
“Dhe sot, Suhareka meriton udhëheqje të ndershme, qeverisje me vizion dhe lidership që respekton këtë qytet. Sot është koha për një kthesë. Është koha për një hap të ri. Është koha për një udhëheqje që punon, që ndërton, që jep rezultate. Është koha për një kryetar që përfaqëson dinjitetin e qytetit, vizionin e qytetarëve dhe shpresën e Suharekës. Është koha për Ardian Shalën, kryetarin e ardhshëm të këtij qyteti fisnik.
Ardiani është njeriu që përfaqëson më së miri këtë qytet. Ai është i ndershëm, i përkushtuar, profesionist. Nuk vjen nga propaganda, por nga puna. Nuk flet me slogane, por me vepra. Nuk premton për t’i mashtruar qytetarët, por merr përgjegjësi për t’u shërbyer atyre. Ardian Shala është qytetari i Suharekës që e njeh çdo fshat, çdo lagje, çdo familje. Ai është rritur këtu, ka punuar këtu, ka dhënë për këtë qytet. Ai e njeh hallet e qytetarëve, e ndjen vuajtjen e tyre, dhe është gati t’i kthejë dinjitetin Suharekës. Ardian Shala nuk është vetëm kandidati i LDK-së. Ai është kandidati i shpresës. Ai është kandidati i punës. Ai është kandidati i së ardhmes. Sepse ai beson se Suhareka nuk duhet të mbetet qyteti i premtimeve të thata, por duhet të bëhet qyteti i rezultateve të prekshme. Nuk duhet të mbetet qyteti i ikjes së të rinjve, por duhet të bëhet qyteti i kthimit të tyre. Nuk duhet të mbetet qyteti i harrimit, por duhet të bëhet qyteti i zhvillimit. Dhe Ardiani nuk është vetëm. Pas tij është ekipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal. Një ekip me njerëz të ndershëm, me mësues e mjekë, me bujq e ndërmarrës, me të rinj e të reja. Një listë e njerëzve që hyjnë në politikë për të shërbyer, jo për të përfituar. Ky është ekipi që garanton se qeverisja e ardhshme nuk do të jetë vetëm e kryetarit, por do të jetë e qytetarëve. Zëri i çdo lagjeje, i çdo fshati, i çdo qytetari të Suharekës. Suhareka ka nevojë për projekte konkrete. Ka nevojë për investime të mëdha në bujqësi, për mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët, për përkrahje të prodhuesve lokalë. Ka nevojë për treg modern agro-ushqimor, për qendra grumbullimi e përpunimi, për fabrika që hapin vende pune. Ka nevojë për shkolla moderne me mësim tërëditor, për çerdhe e kopshte për fëmijët, për kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit. Ka nevojë për qendra shëndetësore të pajisura, për spital funksional, për mjekë të përkrahur. Ka nevojë për parqe, për fusha sportive, për qendra rinore e kulturore, për jetë urbane të pasur që i jep rinisë energji dhe perspektivë.
Por mbi të gjitha, Suhareka ka nevojë për dinjitet. Dinjitet në qeverisje, dinjitet në përfaqësim, dinjitet në trajtim. Dhe këtë dinjitet mund ta japë vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, vetëm Ardian Shala.Dhe sonte, dua të jem shumë i qartë me ju. Është koha që Suhareka të kthehet në LDK”, shtoi Abdixhiku.

