Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një tubim në Malishevë kritikoi qeverinë, duke theksuar se vendi nuk e ka luksin të humbasë ditë për shkak të mosformimit të qeverisë për më shumë se 10 muaj, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku, në fjalën e tij, tha se LDK forcën e saj e gjen në Malishevë.
“Jemi mbledhur në një moment kur Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë, as edhe një ditë e as edhe një moment, dhe nuk ka më durim për improvizime politike, për përçarje e ndarje, e jo me qytetarët. Jemi mbledhur pas një viti të humbur dhe në një krizë institucionale, pas katër vitesh të humbura me keqqeverisje, dhe shpresa juaj është vënë në provë. Sonte jemi për forcë dhe forcën e gjejmë në Malishevën tonë, në Malishevën e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Abdixhiku gjithashtu komentoi edhe komunikimet e fundit që janë publikuar.
“Shteti është trajtuar jo vetëm si vlerë e përbashkët, por si një pronë e ngushtë e komunikimeve të brendshme në WhatsApp të një rrethi politik. Kjo nuk është vetëm një krizë juridike, por një krizë e thellë e besimit. Është momenti kur njeriu nis të dyshojë nëse ligji vlen për të gjithë barabartë, nëse institucioni është mbi individin apo individi mbi shtetin. Dhe kur ky besim thyhet, nuk thyhet vetëm marrëdhënia mes qytetarit dhe shtetit, por thyhet vetë themeli i pasurisë që kemi – shteti i Republikës së Kosovës. Ky besim është thyer sot dhe duhet ta riparojmë sot. Të mos ndahemi në “ne” dhe “ata”, në të ligj dhe të mirë, në tradhtarë dhe patriotë. Kemi vetëm një Kosovë, një atdhe, një republikë; ajo është e të gjithëve dhe e çdo qytetari që jeton në të”, tha ai.

