Abdixhiku në Viti: Sokol Haliti është njeriu i punës, rezultatet e tij shihen në çdo cep

Prishtinë | 02 Tet 2025 | 18:46 | Nga Diellza Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një tubim në Viti, ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu mbështetjen e plotë për kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, Sokol Haliti, në zgjedhjete 12 tetorit.

Abdixhiku e cilësoi Vitinë si djep të punës dhe ndershmërisë, duke theksuar zhvillimet e realizuara gjatë qeverisjes së LDK-së.

“Vitia nuk është vetëm një komunë në hartën e Kosovës. Vitia është djepi i punës dhe i ndershmërisë. Vitia është vendi ku djersa e bujqve e ushqen gjithë vendin, ku tradita kombëtare e lidhur me energjinë e rinisë i japin Kosovës shpresë për nesër.
Vitia është qyteti i njerëzve të qetë, por të vendosur. I qytetarëve që nuk flasin shumë, por punojnë shumë. I familjeve që sakrifikojnë çdo ditë për fëmijët e tyre. Ky është qyteti që nuk pranon të mbetet pas, ky është qyteti që gjithmonë ka ditur të ecë përpara. Dhe të jem këtu sonte mes jush është nder i madh, përgjegjësi e madhe dhe emocion i veçantë. Kur shikoj Vitinë sot, shoh qytetin që ka ndryshuar shumë. Shoh rrugë të reja, shkolla të rinovuara, sheshe të përfunduara, parqe që e kanë bërë komunën tonë e tuajën shembull në gjithë Kosovën. Shoh punën e kryer me mund dhe me përkushtim, punën e tri mandateve të qytetarisë së ndershme të Vitisë. Por mbi të gjitha, shoh një qytet që nuk ndalet. Sepse Vitia është gjithmonë në lëvizje. Vitia gjithmonë kërkon më shumë, ndërton më shumë, ëndërron më shumë.
Dhe ky ritëm zhvillimi, ky hap përpara, ky vizion i madh, bartin vetëm një emër; emrin e kandidatit tonë për kryetar të kësaj komune, Sokol Haliti”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së tha se rezultatet e Sokol Halitit shihen në çdo cep të komunës, duke e quajtur atë kryetar të të gjithëve, njeri të besës dhe të punës.

“Sokoli është shembulli më i mirë i asaj që Vitia ka dhënë gjithmonë: njerëz të ndershëm, të përkushtuar, të lidhur ngushtë me tokën e tyre dhe me qytetin e tyre. Ai nuk është njeri i fjalëve të thata. Ai nuk është njeri i propagandës. Ai është njeri i punës së madhe, i besës dhe i vet rezultateve.
Për vite me radhë, Sokol Haliti ka qenë kryetar i të gjithëve, pa dallim. Ka punuar për fshatin dhe për qytetin, për bujkun dhe për nxënësin, për të moshuarin dhe për të riun. Ka qenë pranë çdo qytetari, me zemër të hapur dhe me duar të pastra. Ky është modeli i një kryetari që në plot kuptimin e fjalës quhet kampion. Kampion jo vetëm në fitore, kampion jon vetëm në besim, por kampion në qeverisje kampion në lidership.
Rezultatet e punës së Sokolit dhe të Lidhjes Demokratike i shihni kudo në Viti. Ky qytet sot është ndër më të dalluarit në Kosovë për zhvillim dhe për menaxhim. Vitia është ndër të parat në realizimin e premtimeve, ndër më të lartat në raportet e auditimit, ndër të parat në përdorimin e buxhetit për investime kapitale. Ky është realiteti i qeverisjes së mirë. Ky është realiteti i një kryetari që punon dhe nuk ndalet. I një kryetari, që sërish, edhe një herë, do të marrë besimin qytetar. Natyrisht se në këtë fushatë do të dëgjoni shumë fjalë, nga po të njëjtit që katër vite më parë nuk morën besimin tuaj. Do të dëgjoni shumë premtime. Do të dëgjoni shumë propagandë. Por ju e dini mirë se kush ka punuar dhe kush jo. Ju e dini kush e ka ngritur Vitinë dhe kush e ka harruar atë. Ju e dini kush është me ju çdo ditë dhe kush kujtohet vetëm kur vijnë zgjedhjet. Ju e dini kush është kryetar i punës dhe kush është kandidat i fjalëve.
Sokol Haliti është njeriu i punës. LDK është parti e shpresës. Të dy bashkë, do të vazhdojnë të ndërtojnë edhe më shumë në katër vitet e ardhshme. Sepse vizioni ynë është i qartë – Vitia që nuk ndalet – një qytet i zhvilluar, një komunë e gjallë, një vend ku fëmijët tanë gjejnë të ardhmen e tyre këtu, në atdheun e tyre. Dhe Sokoli nuk është vetëm. Pas tij është një ekip i madh, lista e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal. Një listë me njerëz të ndershëm, profesionistë nga çdo fushë, të rinj e të reja, mësues e mjekë, bujq e ndërmarrës. Ky është ekipi që garanton se qeverisja e ardhshme nuk do të jetë vetëm e kryetarit, por do të jetë e qytetarëve. Do të jetë zëri i çdo fshati, zëri i çdo lagjeje, zëri i çdo qytetari të Vitisë”, shtoi kryetari i LDK-së, Abdixhiku.

Të ngjashme