Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Vushtrri ka kritikuar qeverisjen e deritanishme, duke e quajtur krizën aktuale “institucionale, politike dhe ekonomike”, rezultat i keqqeverisjes dhe pesë viteve të humbura, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se qyteti i Vushtrrisë është lënë pas në investime dhe vëmendje institucionale.
“Sot po mblidhemi në një kohë që nuk është e zakonshme për Kosovën. Po mblidhemi në një moment krize të thellë, një krizë që nuk është vetëm ekonomike, por mbi të gjitha institucionale dhe politike. Një krizë që ka paralizuar shtetin, ka lodhur qytetarët dhe ka zbehur besimin te e nesërmja. Kjo nuk është krizë e krijuar nga jashtë; është krizë e prodhuar nga keqqeverisja, nga mungesa e përgjegjësisë dhe nga pesë vite të humbura në konflikt, improvizim dhe populizëm. Viti i fundit ka qenë vit i bllokadës së plotë institucionale. Institucionet kanë funksionuar me kapacitet minimal, Kuvendi është shndërruar në arenë përplasjesh dhe jo në vendimmarrje, ndërsa qeverisja ka humbur fokusin nga qytetari. Vendimet janë shtyrë, projektet janë bllokuar dhe qytetarët janë lënë të presin. Dhe kur shteti ndalet, jeta reale nuk pret – ajo bëhet më e vështirë, më e pasigurt dhe më e padrejtë. Pesë vitet e fundit kanë qenë pesë vite të humbura për Kosovën. Jo sepse nuk ka pasur potencial, por sepse ka munguar vizioni. Na u premtua ndryshim, por përjetuam stagnim. Na u premtua drejtësi, por pamë përçarje. Na u premtua zhvillim, por u përballëm me pasiguri, izolim dhe humbje kohe. Populizmi prodhoi fjalë të mëdha, por jo institucione të forta. Dhe pa institucione të forta, nuk ka shtet funksional. Kjo krizë nuk ka mbetur abstrakte. Ajo është shndërruar në realitet të përditshëm për qytetarët e Vushtrrisë. Familjet po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës. Çmimet janë rritur, shpenzimet janë shtuar, ndërsa të ardhurat kanë mbetur prapa. Të rinjtë po përballen me mungesë perspektive. Bizneset po përballen me pasiguri. Bujqit po përballen me mungesë mbështetjeje. Pensionistët po përballen me vështirësi për të jetuar me dinjitet. Dhe në një qytet punëtor si Vushtrria, kjo barrë ndihet edhe më rëndë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku prezantoi programin e LDK-së, duke vënë theksin te mbështetja për familjet, arsim, punësim të të rinjve, bujqësi, bizneset e vogla, shëndetësi dhe siguri.
“Vushtrria është qytet i punës së ndershme. Qytet që ka dhënë shumë për Kosovën dhe që rrallë ka kërkuar më shumë sesa i takon. Është qytet që ka mbijetuar me punë, me tregti, me bujqësi dhe me familje të forta. Por sot, përkundër gjithë këtij kontributi, ky qytet është lënë në harresë institucionale, pa investime serioze dhe pa vëmendjen që meriton. Kjo nuk është padrejtësi vetëm ndaj Vushtrrisë; është padrejtësi ndaj vetë Kosovës. Kjo është gjendja. Kjo është diagnoza. Dhe pikërisht sepse e themi hapur këtë gjendje, sepse nuk e fshehim krizën dhe nuk e zbukurojmë realitetin, ne sot mund të flasim edhe për zgjidhje. Sepse kritika pa zgjidhje është zhurmë, por zgjidhja pa diagnozë është mashtrim. Pikërisht për këtë arsye, LDK sot nuk është thjesht alternativë politike. LDK është domosdoshmëri e kohës. Sepse Kosova ka nevojë për rikthim të arsyes, të maturisë dhe të shtetit funksional. Ka nevojë për një forcë politike që e kupton se qeverisja nuk bëhet me slogane, por me plane. Jo me improvizim, por me institucione. Jo me përçarje, por me bashkim. LDK ka kuadro. Ka profesionistë. Ka njerëz që dinë të qeverisin. Por mbi të gjitha, LDK ka program. Një program të detajuar, të përgjegjshëm dhe të zbatueshëm. Një program që nuk flet në përgjithësi, por me numra. Që nuk premton gjithçka, por premton atë që mund të realizohet. Një program që e sheh Kosovën si shtet, jo si skenë propagande. Në qendër të programit tonë është familja. Jo rastësisht. Sepse familja është pasuria më e madhe kombëtare. Në Vushtrri, familja ka qenë gjithmonë institucioni më i fortë shoqëror. Ajo ka mbajtur gjallë vlerat, solidaritetin dhe ndjenjën e përkatësisë edhe në kohë kur shteti ka munguar. Sot, kjo familje është nën presion të madh ekonomik dhe social. Prindërit po mendojnë çdo muaj si ta mbyllin muajin. Të rinjtë po e shtyjnë krijimin e familjes ose po largohen nga vendi. Dhe kur familja dobësohet, dobësohet edhe shteti”, theksoi ai.
Ai premtoi masa konkrete si pagesa për të porsalindurit, paga 1 000 euro për mësuesit, punësim të garantuar për të diplomuarit dhe investime në Qendrën e Re Klinike dhe infrastrukturën lokale.
“Prandaj ne investojmë te familja. Jo me fjalë, por me politika konkrete. 200 euro në muaj për çdo të porsalindur për 12 muaj, gjithsej 2 400 euro, dhe 50 euro në muaj për çdo fëmijë nga mosha 1 deri në 16 vjeç. Këto nuk janë shifra abstrakte. Janë mbështetje reale për prindërit. Janë mesazh se shteti qëndron pranë familjes së vet. Janë investim në stabilitet demografik dhe në të ardhmen e Kosovës. Ne investojmë në arsim, sepse pa dije nuk ka zhvillim dhe pa arsim nuk ka shtet. Mësuesit e Vushtrrisë kanë edukuar breza të tërë dhe kanë ndërtuar shoqërinë. Por sot, mësuesi është nënvlerësuar. Dhe kur mësuesi humb dinjitetin, humb edhe cilësia e arsimit. Pagë 1 000 euro për mësuesit është rikthim i respektit për profesionin që ndërton kombin. Investimi prej 1 miliard eurosh në çerdhe dhe mësim tërëditor është investim në fëmijët e Vushtrrisë dhe në të ardhmen e këtij vendi. Ne investojmë te të rinjtë, sepse rinia nuk është problem – është potencial. Të rinjtë e Vushtrrisë janë të aftë, të arsimuar dhe plot energji, por sot po presin. Dhe pritja e gjatë shndërrohet në zhgënjim. Prandaj ne ofrojmë punësim të garantuar për çdo të diplomuar për gjashtë muaj me pagesë 500 euro. Jo si favor, por si urë mes shkollimit dhe tregut të punës. Trajnimi i 40 mijë të rinjve në teknologji informative është investim që e mban rininë këtu, aktive dhe të dobishme për shtetin. Ne investojmë në bujqësi, sepse bujku nuk prodhon vetëm ushqim – prodhon siguri. Bujqit e Vushtrrisë janë shtyllë e ekonomisë lokale, por sot po përballen me pasiguri të madhe. Politikat tona synojnë ta kthejnë bujqësinë në prioritet kombëtar, me mbështetje të qëndrueshme, treg të sigurt dhe investime serioze. Ne investojmë në bizneset e vogla dhe afaristët, sepse pa ekonomi lokale të fortë nuk ka zhvillim kombëtar. Dyqanet familjare, punëtoritë dhe shërbimet e mbajnë gjallë qytetin. Politikat tona ekonomike janë të orientuara drejt prodhimit vendor, punësimit dhe stabilitetit. Ne investojmë në shëndetësi, sepse shëndeti nuk pret. Ndërtimi i Qendrës së Re Klinike me 500 milionë euro është investim në jetë, në siguri dhe në dinjitet njerëzor. Ne investojmë në siguri, sepse pa rend nuk ka shtet. Pagë 900 euro për policët, ushtarët dhe zjarrfikësit është respekt për ata që na mbrojnë çdo ditë”, shtoi Abdixhiku.


