Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim në Gjakovë, ku foli për rolin historik të këtij qyteti, sfidat aktuale politike në Kosovë dhe vizionin e LDK-së për një shtet funksional me qytetarin në qendër të politikës, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi se Gjakova ka qenë gjithmonë në anën e drejtë të historisë dhe se qytetarët e saj e njohin më së miri mungesën e shtetit dhe nevojën për institucione të forta e të përgjegjshme.
“Gjakova ka qenë gjithmonë në anën e drejtë të historisë në ditët e errëta të pushtimit, në ditët e rezistencës së Rugovës, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në përpjekjet për shtetndërtim. Ka qenë qytet i njerëzve punëtorë, i kulturës, i dijes, i tregtisë, i familjes që kanë ditur të mbajnë shtyllat e shtëpisë edhe kur shteti ka munguar. Gjakova e di mungesën e shtetit dhe ajo e ndjen sot më shumë se çdokush tjetër nevojën për një shtet funksional, të fortë e të përgjegjshëm për qytetarët e vet. Sot Kosova ndodhet në një nga momentet më të vështira politike që nga shpallja e pavarësisë dhe nuk e them për të ngjallur ndjenjën e pasigurisë, por e them për të qenë i sinqertë me ju dhe nuk mund të ketë shpresë pa një të vërtetë të shpallur. Nuk mund të ketë ringritje pa diagnozë të saktë të gjendjes në të cilën jemi sot dhe problemet që përjetojmë janë të dyfishta,” tha Abdixhiku.
Ai më pas foli për vizionin e LDK-së dhe shpresën që, sipas tij, është reale dhe e ndërtuar mbi punë, plan dhe përgjegjësi.
“Kosova ka një shpresë jo naïve e jo slogani, por një shpresë reale e ndërtuar me punë, plan, përgjegjësi dhe me një ekip që pa dyshim e ka Lidhja Demokratike e Kosovës dhe këtu vjen LDK, që nuk është parti e çastit e as e rastit, por është parti që e ka ndërtuar shtetin në kohët më të vështira. Është forcë që ka ditur të udhëheqë, të bashkojë qytetarët në kohë përçarjeje dhe të ruajë mbi të gjitha orientimin euroatlantik. LDK nuk premton mrekulli, premton normalitet, rend dhe ligj. Ne jemi forca që e shohim qytetarin në qendër të politikës,” theksoi Abdixhiku.

