Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke e cilësuar atë si një qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, vendimi ofron një udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike dhe nuk krijon epërsi për askënd.
“Ky vendim rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit. Në këtë fazë, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai thekson se çështjet e tilla nuk zgjidhen me imponim, por përmes marrëveshjeve politike ndërmjet forcave përfaqësuese.
“Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës”, shton ai.
Sipas Abdixhikut, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje që siguron stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve, por nuk do të bëhet alibi për dështimet e askujt.
Ai vlerëson gjithashtu veprimet e Vjosa Osmani, përfshirë dekretin e saj, duke thënë se ato ishin në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shmangies së një vakumi institucional.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë”, u shpreh Abdixhiku.
“Republika ka rregullat e saj. Dhe ato kërkojnë përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje në përputhje me interesin e përgjithshëm. Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin”, përfundoi ai.