Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në hapje të fushatës në Klinë, ka përmendur skandalin e fundit me publikimin e bisedave të komunikimit të Kryeshefit të Iber-Lepencit me ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zyrtaren e VV-së, Dejona Mihali.
“E nisëm po ashtu me një shqetësim të madh: në Kosovë, korrupsioni serioz qeveritar sot bëhet në grupe WhatsApp-i. Ai ka gërryer nga brenda pasurinë e Kosovës. Të fshehur pas perdes së populizmit dhe patriotizmit të rremë, këta kanë vjedhur në WhatsApp, kanë ndarë tenderë në WhatsApp dhe kanë kapur ndërmarrje publike në WhatsApp.” – ka shkruar ai.
Abdixhiku ka folur edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Supreme për lirimin e pensionistëve për t’u paraqitur fizikisht.
Postimi i tij:
E nisëm ditën e sotme këtu, në Klinë, në prezantimin e kandidatëve tanë dhe të programit tonë.
E nisëm me një përshëndetje për vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshme nenet e një qeverie dembele, që i detyronte në mënyrë të turpshme pensionistët të dëshmonin çdo gjashtë muaj se janë gjallë. Ky nuk është reformim i shtetit; kjo është poshtërim i qytetarëve që e ndërtuan këtë vend.
E nisëm po ashtu me një shqetësim të madh: në Kosovë, korrupsioni serioz qeveritar sot bëhet në grupe WhatsApp-i. Ai ka gërryer nga brenda pasurinë e Kosovës. Të fshehur pas perdes së populizmit dhe patriotizmit të rremë, këta kanë vjedhur në WhatsApp, kanë ndarë tenderë në WhatsApp dhe kanë kapur ndërmarrje publike në WhatsApp.
Koha e një qeverie të përgjegjshme, të pastër dhe të guximshme për vendime të mëdha zhvillimore po vjen.
Në Klinë, ne i kemi njerëzit për këtë ndryshim. Dy kandidatë të shkëlqyeshëm që përfaqësojnë dijen dhe integritetin.
Me numër 45, Shqipe Pantina, magjistre e Shkencave Politike. Me numër 54, Astrit Desku, Doktor Shkence në fushën e Teknologjisë Informative dhe inovacionit.
Ekipi ynë është dallimi ynë!