Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, që të thërras në takim pozitë e opozitë për situatën në veri të vendit.
Abdixhiku ka thënë se për situatën atje, kanë kërkuar qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës.
Postimi i plotë i tij:
Përgjatë pesë ditëve të fundit, LDK ka përcjellur me vëmendje e shqetësim zhvillimet në Veri të vendit. Përgjatë kësaj kohe, unë dhe kolegët e mi kemi qenë në kontakt me Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca e me zyrtarë të tjerë qeveritarë. Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës.
Mbi të gjitha, si LDK kemi shprehur gadishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit. Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot.
Po ashtu, i bëj thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.