Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar dhe nderuar jetën dhe veprën e ish-deputetit, Agim Kikaj.
“Sot, përkujtojmë dhe nderojmë Agim Kikajn, figurën patriotike, politike e mbi të gjitha njerëzore. Agimi ishte angazhuar herët në çështjet atdhetare e politike; ai iu bashkua vargut të veprimtarëve më të mëdhenj të LDK-së në orët e rënda të vendit. Agimi u nda nga ne shumë herët, por la pas vetes një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke qenë si kryetar i Komunës së Podujevës, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, e një ndër personalitetet kryesore politike të Podujevës dhe më gjerë, si dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
“Mesnata e datës 18 maj e vitit 2017, goditi familjen Kikaj, Kosovën dhe Lidhjen Demokratike me vdekjen e tij të papritur. Ndarja e Agim Kikajt ishte humbje e madhe për Kosovën dhe proceset demokratike të vendit tonë. Kosova humbi një njeri të mirë, një figurë të jashtëzakonshme që i shërbente ndërtimit të institucioneve demokratike tonat dhe kishte për synim fuqizimin e tyre”, thuhet më tej në komunikatën e LDK-së.
Abdixhiku tha se ai do të kujtohet gjithmonë për çiltërsinë, modestinë dhe afërsinë që e kishte me njerëzit.
“Andaj ika e tij, la zbrazi jo vetëm për familjen Kikaj, por për gjithë LDK-në dhe Kosovën. Jeta dhe vepra e tij është e paharrueshme në rrugëtimin e Kosovës për liri dhe pavarësi! Lavdi jetës dhe veprës së Agim Kikajt!”.