Abdixhiku premton investime të mëdha dhe mbështetje për bujqit dhe shëndetësinë në Kosovë

| 16 Jan 2025 | 18:48 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim elektoral në Rahovec, ku është pritur para mijëra simpatizantëve të kësaj partie, raporton Ekonomia Online.

Rregullimi i Drinit të Bardhë, rregullimi i tokave bujqësore me ujitje e përfundim të stadiumit të qytetit, ishin disa nga premtimet e Abdixhikut para rahovecianëve.

“Ne nuk duam të ankohemi, ne duam të punojmë. Të punojmë fort e me përkushtim, me dije e duke dhënë përgjegjësi përpara jush. Prandaj, në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5 për qind rritje ekonomike. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë. Prandaj, në javën e parë të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë – mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit – do t’ua rrisim pagat, me koeficient 150”, deklaroi Abdixhiku, teksa foli edhe për bujqit në Rahovec. Tha se në qeverisjen e tij, bujqit do të kenë mbështetje të madhe.

“Për bujqit në vend do të ketë Grante e sigurime për bujqit që të sigurojmë produktet tuaja në mënyrë që puna juaj të mos humbet. Ne nuk kemi grante 100 mijë euro për vëllëzër e dajë, prandaj paratë e vjedhura cep më cep do t’i kthenë cent më cent. Në Kosovën e territ do të ndërtojmë centralin e ri me gaz me 500 milionë euro sepse për neve energjia është për ekonomi por edhe për siguri. Për të gjitha familjet tona do të ndërtojmë Spitalin e Ri me 500 milionë euro”, deklaroi tutje Abdixhiku.

“Në Kosovën e territ, të qirinjve e të reduktimeve, në Kosovën ku nuk ka rrymë sepse pushteti tallet duke thënë ‘paskemi zhvillim ekonomik’ në këtë Kosovë, do të ndërtojmë Centralin e ri me Gaz në Ferizaj. 500 milionë euro  investim, për centralin me gaz amerikan; për të dhënë fillimisht furnizim me energji, e më pas edhe energji më të lirë. Sepse, për ne, të djathtit, Lidhjen Demokratike, energjia është ekonomi dhe siguri. Prandaj, energji me gaz, prandaj energji me gaz amerikan. Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin të shqetësuar, tek kërkojnë shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona të frikësuara, këtu, në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja – shëndetësi moderne, ashtu siç e meriton vendi ynë i bukur. E për të gjithë fëmijët e Kosovës, ata që qëndrojnë sot 4 orë në shkollë, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të sigurojë mësim gjithë ditor. Ushqim të ngrohtë, klasa moderne, tabela digjitale e mësim nxënie moderne, ashtu siç kemi bërë në Prishtinë, do të bëjmë fillimisht në 5 komuna e më pas në krejt Kosovën”.

Të ngjashme