Kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar ndërtimin e Termocentralit të gazit amerikan në Ferizaj, raporton Ekonomia Online.
Këtë zotim, kreu i LDK-së e bëri në tubimin elektoral në Ferizaj, teksa këtkoi mbështetje në mënyrë që ky qytet të bëhet “kryeqytet i gazit”.
“Nga këtu u them se në Ferizaj do ta ndërtojmë Termocentralin me gazin amerikan në mënyrë që të jetë ‘kryeqyteti i gazit’”, tha Abdixhiku, teksa dha edhe zptime tjera për këtë qytet.
“Si lëvizja më e madhe historike shqiptare, e kemi për detyrë, e kemi për obligim, e kemi për mision indentitar, të shtrojmë jo vetëm dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës, me ata të harruarit e të lënë në mëshirën e fateve ditore, por të shtrojmë Rrugën e Re përpara, për vet Republikën e Kosovës, shtetin që e bëmë ne, sepse, kjo rrugë s’bëhet pa ne. Këtë rrugë na takon ta bëjmë ne. Si bartës të së djathtës, si bartës politik të lëvizjes për liri, për demokraci e për pavarësi, neve, Lidhjes Demokratike të Kosovës, na takon ta bëjmë rrugën e zhvillimit, rrugën e konsolidimit shtetar e rrugën e integrimit euroatlantik”.
“Kosova, Republika jonë, qëndron në udhëkryqin më të madh politik e ekzistencial që nga themelimi i saj si shtet i pavarur e sovran, dhe në këtë udhëkryq, në këtë definimin të së ardhmes sonë, qytetarët e Kosovës, ju të dashur qytetarë të Gjakovës, duhet të kuptoni peshën e zgjedhjeve tuaja, sepse këto zgjedhje, nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një Kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Ato, para së gjithash, bëhen për të përcaktuar vet Kosovën. Si një shtet në zhvillim, me njerëz që bëjnë jetën këtu, si një shtet të hapur në lumin e madh të rrjedhave botërore, apo si një vend i zymtë, i propagandës, i përçarjes, i mbylljes e i sanksioneve, si një vend i zbrasjes së dhimbshme – i thyerjes së madhe përtej së cilës mbesim edhe pak, edhe vet, edhe keq. Këtë zgjedhje unë e kam të qartë! Ketë zgjedhje ju duhet ta keni të qartë”.
