Abdixhiku prezanton pesë projekte: Do ta zhvendosin Kosovën në stad të ri zhvillimor

Prishtinë | 30 Dhj 2024 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, njëherit kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Spitali i ri, Centrali me gas, Brezovica, Unaza e Kryeqytetit dhe Parku Teknologjik janë disa nga projektet më të mëdha që i ka prezantuar qe një vit.

Ai ka thënë se këto investime janë rreth 2 miliardë euro dhe sipas tij këto projekte e vendosin Kosovën në stad të ri zhvillimor dhe historik.

“Spitali i Ri, Centrali me Gaz, Brezovica, Unaza e Kryeqytetit e Parku Teknologjik janë disa nga projektet tona më të mëdha të prezantuara tash e një vit. Këto investime, rreth 2 miliardë euro, në katër vite mandat – me buxhet 16 miliardë, e vendosin Republikën tonë në stad të ri jo vetëm zhvillimor por dhe historik.”

Abdixhiku ka shkruar se projektete e “Rrugës së Re” janë projeksione reale të Kosovës.

“Projektet e ‘Rrugës së Re’ e vet vizioni ynë, janë projeksione reale të një Kosove që po na pret. Alternativa e kësaj të ardhme mbetet urrejtja, mllefi e përçarja e brendshme në moçalin e madh popullist që ushqen veç vrer!”

Ai ka shtuar se ndryshimi po vjen, “erdh me 40 mijë regjistrime nga bashkatdhetarët dhe me 17 tubimet e mëdha të turneut të madh”.

“Do të vjen me angazhimin monumental që na pret në fushatë – e sidomos pas 9 shkurtit – kur puna e vërtetë nis menjëherë! Mllefi e urrejtja i takojnë politikës së shkuar! E ardhmja është e bukur!”

Të ngjashme