Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin për vitin 2026, duke thënë se ai nuk reflekton strukturën e re qeveritare, zotimet e dhëna dhe, mbi të gjitha, nuk merr parasysh buxhetin e miratuar të Prishtinës.
Në seancën e Kuvendit, ai paralajmëroi se një qasje e tillë e bën dokumentin jokushtetues dhe mund të ndikojë në qëndrimin politik të LDK-së në raport me shumicën parlamentare, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku tha se trajtimi i dokumentacionit të buxhetit do të duhej të bëhej për tri arsye.
“U dakorduam që t’i jepet mundësi deputetëve të Kuvendit të Kosovës më tepër kohë për të trajtuar një dokument shumë të rëndësishëm, gati 700 faqesh, sikurse ky buxhet – më voluminozi që mund ta ketë Kuvendi i Kosovës. Po, në anën tjetër, që t’i jepet kohë Qeverisë të sjellë një dokument të ri me tri reflektime kryesore, jo përmbajtësore, por shumë elementare. E para, të reflektojë strukturën e kabinetit qeveritar, pra të ministrive, që katër ministri të reja të kenë edhe buxhetin e tyre dhe ky buxhet të ndahet jo nga ministri i Financave ministrive të tjera, por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
E dyta, që buxheti të reflektojë ekspozen që e prezantoi Kurti ditën e formimit të Qeverisë, në mënyrë që ato zotime të dhëna të mos jenë vetëm fjalë, por të kenë kuptim të vërtetë. Në këtë drejtim, një ekspoze pa buxhet mbetet vetëm një platformë fjalësh të thata, që, duket jo befasueshëm, do të jetë seriozisht rasti këtu”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, buxheti duhet të respektojë edhe parimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, duke përfshirë vendimmarrjen e kryeqytetit për buxhetin e vet.
“Dhe e treta, shumë e rëndësishme për ne, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, siç e kemi parë fatkeqësisht shumë pak e rëndësishme për ju: që buxheti i Kosovës të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë. Fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Ky buxhet i Kosovës nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jo vetëm e habitshme, por jashtëzakonisht e rëndë që Kuvendit t’i sillet një dokument që nuk e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Dhe, së këndejmi, menjëherë bëhet jokushtetues.
Sa për rikujtim, Prishtina, kryeqyteti ynë, e ka miratuar buxhetin e saj më 6 shkurt të vitit 2026. Buxheti i Kosovës është sjellë në Kuvendin e Kosovës për herë të parë më 13 shkurt 2026. Mos i ngatërroni gjërat me legjislaturën e kaluar; kjo është legjislaturë e re e Republikës së Kosovës.
Nuk ka asnjë arsye, as ligjore, as logjike, as kushtetuese, që një buxhet nacional të mos marrë parasysh vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Sikurse jemi mbledhur ne këtu në Kuvend për të vendosur mbi diçka, edhe asambleja lokale e kryeqytetit ka shprehur vullnetin e popullit të Prishtinës për ndarjet e buxhetit të vet. Pra, ka vendosur për buxhetin e vet”, theksoi ai.
Abdixhiku paralajmëroi pasoja politike nëse, sipas tij, i mohohet e drejta kushtetuese e kryeqytetit dhe e opozitës.
“Ne nuk kemi as autoritet dhe as nuk duhet të kemi vullnet ta bllokojmë kryeqytetin e Kosovës. Madje, vetëm të na shkojë mendja për të bërë një gjë të tillë është lojë me fatin e mijëra e mijëra punëtorëve, mijëra e mijëra familjeve e, mbi të gjitha, qindra mijëra banorëve që janë lodhur nga kjo përplasje e panevojshme.
Prandaj, për LDK-në është jo vetëm e rëndësishme që zotimet e dhëna për Prishtinën t’i realizojmë në tërësi ne, që e kemi marrë besimin aty, por edhe e domosdoshme që të kuptojmë relacionin që do ta ketë LDK-ja me këtë Kuvend. Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave të shumicës, atëherë edhe LDK-ja do të ripërcaktojë pozicionin e saj në relacion me çështje që kërkojnë edhe numrat tanë në këtë Kuvend”, tha ndër të tjera Abdixhiku.

