Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se takimi me kandidaten për presidente Vjosa Osmani ishte pozitiv dhe është zhvilluar në atmosferë të mirë.
Por, Abdixhiku, i cili shoqërohej nga nënkryetari Lutfi Haziri la të kuptohej se nuk është arritur ndonjë marrëveshje me ish-partiaken e tyre për ta votuar për presidente. Në një konferencë për gazetarët, Abdixhiku tha se se do të ketë edhe një takim tjetër, pastaj do të vendosin në organet drejtuese të partisë.
“Diskutuam për platformën që synon ta ndërtojë presidentja. Nuk kemi vërejtje për platformën e saj”.
“Diskutuam çështjet me interes rreth zgjedhjes së presidentit… Takimi ishte pozitiv dhe është zhvilluar në atmosferë të mirë”.
Ai ka thënë se seanca për presidentin mund të thirret nëse ka pajtueshmëri edhe nga aktorët e tjerë politikë.
“Zgjedhja e presidentit duhet të ndodhë brenda afatit të shkurtër kohor. Në të ardhmen bashkëpunimi mbetet i hapur me ata që përputhen me LDK-në. S’mund të ketë qëndrime individuale, por vendimet LDK i merr në organet e saj më të larta”, tha ai.
“Duke i përcaktuar afatet kushtetuese do t’i përcaktojmë edhe hapat e ardhshëm”, tha Abdixhiku.
“Do të kemi edhe një takim të ardhshëm. Tani do t’iu kthehemi organeve të partisë”.