Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është takuar me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së, ka thënë se me Gjukanoviq, kanë biseduar rreth të ardhmes së dy shteteve dhe përspektivën euro-atlantike që kanë dy shtetet fqinje, shkruan lajmi.net.
“Sot, me bashkëpunëtorë, takuam Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Biseduam për të ardhmen e dy shteteve tona dhe perspektivën euro-atlantike që Kosova dhe Mali i zi si shtete fqinje kanë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka treguar se është shprehur mirënjohës për rolin mbështetës që Mali i Zi ka treguar në raport me Kosovën në proceset integruese.
“Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, mbetet partner i rëndësishëm rajonal për Kosovën. Presidentin Gjukanoviq e falenderova për rolin mbështetës të shtetit të tij në proceset integruese të Kosovës, me theks të veçantë për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës e në familjen e përbashkët ushtarake të NATO-s”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
Me tej, ai ka njoftuar se ka pranuar ftesën për të bërë një vizitë në Podgoricë.
“LDK vlerëson orientimin e qartë të Malit të Zi në rrugëtimin e përbashkët euro-atlantik, si dhe bashkëpunimin rajonal brenda procesit të Berlinit. Presidentit Gjukanoviq i pranova me kënaqësi dhe ftesën e bërë për vizitë të radhës në Podgoricë”, ka përfunduar Abdixhiku.