Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili të enjten ka thënë se për procesin e dialogut Qeverisë po i mungon informacioni.
Kurti dje, ka thënë ka shtuar se shumë drafte, marrëveshje e hollësi nuk i kanë gjetur kur janë kthyer në zyrë dhe se po pajisen nga BE-ja me dokumente, shkruan Reporteri.net.
Abdixhiku duke i reaguar Kurtit ka thënë se është dobësi të bësh rolin e viktimës, kur nuk je i tillë.
Ai është shprehur se dokumentet e dialogut i janë dhënë kryeministrit Kurti, ditën e pranimit të detyrës.
“Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë.
Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Reagimi i plotë:
Kryeministër,
Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi.
Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim.
Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish.
Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë. Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë.