Pak javë më parë u raportua për një skandal financiar ku thuhej të jetë i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Këto raportime ngjallën reagime të shumta, ku disa prej tyre si hap të parë kërkonin shkarkimin e Berishajt, e disa të tjera, kryesisht nga ana e qeverisë, e mbronin ambasadorin duke fajësuar mediat.
Një reagim rreth kësaj teme e bëri sot, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu.
Abdullahu, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kërkuar të dijë se pse presidenca ende nuk ka dhënë vlerësimin për pozicionin e Berishajt, edhe pse diçka e tillë ishe premtuar.
“Pse nga Presidenca ende nuk ka vlerësim për pozicionin e ambasadorit Berishaj. Kohë më parë (22 prill) nga Presidenca me komunikatë është thënë se ky vlerësim do të bëhet. Po ashtu në këtë komunikatë është thënë se është kërkuar nga ambasadori Berishaj të vijë në Kosovë dhe të deponoj raportin me shkrim. Mirë shumë, Zonja Presidente pse kjo ende nuk ka ndodhur? Duhet më shumë kohë? Atëhere tregoni qytetarëve të Kosovës se kjo do të ndodhë, por do më shumë kohë”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së.
Tutje, ai ka pyetur se a ka qenë Berishaj në Kosovë për të raportuar rreth atyre që janë deklaruar në media dhe se e besojnë ende nga presidenca që Berishaj është I pafajshëm ashtu siç ata kanë deklaruar në fillim.
“A është çështja më e komplikuar se që është dukur ? Na tregoni edhe për këtë. A ka qenë Berishaj në Kosovë ? A e ka dhënë raportin me shkrim dhe a e keni bërë publik këtë raport të tij me shkrim? Pse po pritet kaq gjatë ? Ju pak ditë pas publikimit të kësaj afere në mediat Sllovene, konstatuat (në një konferencë) se i besoni ambasadorit se është i pafajshëm. A mendoni ende kështu ? Këtë duhet të ja tregoni qytetarëve të Kosovës. Përndryshe të gjitha konspiracionet, spekulimet dhe dyshimet i shumzoni dhe i forconi me heshtjen dhe hezitimin e juaj. Apo ndoshta mendoni se me kalimin e kohës krejt kjo davaritet, deri në harresë dhe kjo qasje e juaj si Presidente, për tu treguar qytetarëve të Kosovës, është përgjigja e juaj më pragmatike për këtë aferë”, ka thënë Abdullahu.
Përndryshe, mediat sllovene pak kohë më parë kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, raportohet që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.