Kosova hyri në vitin 2020 pa formimin e Qeverisë dhe institucioneve të reja, e gjithë kjo për shkak të mosmarrëveshjeve për bashkëqeverisje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo zvarritje e procesit po e dëmton Kosovën dhe në përgjithësi jetën e qytetarëve të vendit.
Njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, tha për Ekonomia Online se nëse këto dy parti politike nuk formojnë qeverinë duhet ta lirojnë rrugën që ta bëjë dikush tjetër.
Abdullahu deklaroi se ky prolongim i kohës dhe i proceseve po bëhet që këto dy parti të përfitojnë sa më shumë nga njëra-tjetra.
“Çdo ditë që po kalon pa themelimin e qeverisë është e dëmshme për Kosovën, përgjithësi për fatin e saj për kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Është e çuditshme dhe vështirë e shpjegueshme por mund të thuhet se është papërgjegjësi morale, politike dhe shtet ndërtuese që këto dy forca politike LVV dhe LDK nuk po merren vesh”.
“Ata duhet të merren vesh urgjentisht ose ta bëjnë qeverinë ose ta lënë dikush tjetër mund ta bëjë ose të shkohet në zgjedhje. Por jo të prolongohet pafundësisht. E keqja më e madhe është se ato kanë kuptuar se prolongimi i kohës dhe zvarritje e procesit sikur po krijon parakushte që ata të fitojnë ma shumë. E din që kjo i shkakton dëme Kosovës por ata janë të interesuar që ti bëjnë trysni njëra tjetrës që të përfitojnë sa më shumë”, tha ai.
Abdullahu theksoi se Kosovën e presin procese të cilat duhet të përfundohen. Ai potencoi se VV-ja dhe LDK-ja janë fajtore për këtë zvarritje, siç thotë ai se nuk po lëshojnë pe për karrige.
Por, sipas tij nëse vendi shkon në zgjedhje qytetari duhet t’i ndëshkoj këto parti e të kërkoj zgjedhje të një subjekti tjetër politik.
“Kosovën po e presin procese vitale sidomos ato përballë Serbisë të cilave nuk mund t’i bishtnohet, por të hyhet seriozisht që të përfitojmë sa më shumë nga ato. Ne kur potencojmë se njëra është fajtore atëherë ne ndihmojmë procesin e tyre të prolongimit ku ata vazhdojnë ta akuzojnë njëra tjetrën. Të dyja janë fajtore ngase nuk lëshojnë pe, thjesht vetëm për karrige, janë të papërgjegjshme”
“Qytetari i Kosovës duhet të shoh me vëmendje gjithë këtë që po ndodhë dhe të vendos se nëse shkohet në zgjedhje. Por unë urojë që mos të shkohet në zgjedhje sepse do të jetë humbje kohe dhe para. Por nëse shkohet dhe nëse prolongohet kështu duhet të shkohet në zgjedhje atëherë qytetari duhet t’i ndëshkoj me votën e saj duke kërkuar alternativa të tjera, ka thënë Abdullahu.