Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, tha në një intervistë për Ekonomia Online se Qeveria Kurti me pranim e Asociacionit po i jep Serbisë vizën për t’u rikthyer në Kosovë. Por, sipas tij, “vizë” po u jepet edhe qytetarëve, sidomos të rinjve, që të lëshojnë vendin për shkak të dëshpërimit të përgjithshëm.
Abdullahu tregoi se kjo parti e ka parë draftin përfundimtar të Asociacionit dhe se aty nuk përmendet askund njohja. Sipas tij, deklarimet e krerëve të shtetit janë kontradiktore me qëllim që ta amortizojnë çfarëdo pakënaqësie do të shpalosej në forma të ndryshme.
“Ne e kemi pranuar draftin e Asociacionit edhe e kemi pranuar variantin, jo siç është dashur. Është dashur më herët vetë të na e sjell Qeveria ta diskutojmë, edhe me Qeverinë, po kjo është zgjedhja e tyre. Në anën tjetër, ajo çfarë mendojmë ne për draft-statutin e Asociacionit, pasi e kemi parë edhe variantin përfundimtar, nuk ndryshojnë qëndrimet tona vlerësimet tona shumë nga ato që i kemi thënë edhe me herët nga ato që i ka thënë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi”.
“Thënë përmbledhtazi, në kohën kur po iu hapet dera qytetarëve të Kosovës me viza për t’i larguar nga vendi e shumë prej tyre po presin për t’u larguar nga zhgënjimi, sidomos rinia, në këtë kohë po i hapet dera dhe po i dhurohet ‘viza’ Serbisë për t’u rikthyer në Kosovë përmes Asociacionit”.
“Në këtë draft nuk është e paraparë, nuk figuron askund, nuk përmendet askund njohja. Është brenga më e madhe, faktikisht është pranuar si e tillë nga kjo Qeveri, pavarësisht se kjo Qeveri në forma të ndryshme bashkë me presidenten bashkë me kryekuvendarin mundohen që të përcjellin edhe mesazhe konfuze dhe ky fakt tregon se sa brengosëse do të jenë efektet e këtij Asociacioni. Por ata kanë vendosur që ta pranojnë, prandaj japin edhe vlerësime konfuze me qëllim që ta amortizojnë çfarëdo pakënaqësie që do të reflektonte, që do të shpalosej, në forma të ndryshme”.
Abdullahu shton se këtë formë të Asociacionit që do të jetë pushtet i tretë në vend do ta kundërshtojnë në çdo mënyrë. Madje thotë se u sigurohet autonomi serbëve të Kosovës, raporton EO.
“Ndoshta kualifikimi shqetësuese është i butë për ta tipizuar për ta vlerësuar aq sa saktësisht se çfarë do të jetë ky Asociacion që është pranuar nga Qeveria Kurti është më shumë se pushtet i tretë, është diçka në të cilën Kosova si shtet në të ardhmen, qeveritë e Kosovës do të kenë mundësi të zvogëluara tej mase për të ndikuar te Asociacioni. Do të ketë shtrirje ndikimit, përforcim të ndikimit të Serbisë në komunat me shumicë serbe. Të gjitha këto janë brengosje të gjitha këto i kemi kundërshtuar, të gjitha këto duhet të gjejmë forma për t’i kundërshtuar”.
“Asociacioni në të ardhmen do të krijojë pushtet ekzekutiv. Ekspertët e Partisë Demokratike të Kosovës, pasi që e kanë shqyrtuar kanë ardhur në këtë përfundim se Asociacioni i tillë çfarë është pranuar nga kjo Qeveri do të jetë edhe pushtet ekzekutiv e do të këtë edhe elemente të tjera që na japin të drejtë të konstatojmë se faktikisht do të jetë autonomi”.