Policia federale e Zvicrës u kishte sugjeruar autoriteteve vendase të emigracionit se, oligarku rus Roman Abramovich përbënte një “rrezik për sigurinë publike” dhe një “rrezik për reputacionin e mirë” të vendit, nëse ai bëhej qytetar zviceran, transmeton TCH.
Manjati i klubit londinez të futbollit, Chelsea, humbi të martën një betejë ligjore 7-mujore kundër një medie të shkruar zvicerane, për ta penguar këtë të fundit të publikonte informacionet mbi arsyet e dështimit të tij për sigurimin e lejeqëndrimit zviceran.
Beteja mes Abramovich dhe medies “Tamedia” në Zurich nisi në shkurt, pasi grupi në fjalë mediatik siguroi detaje të një letre të shkruar nga policia, që ishte thirrur në ndihmë nga Sekretariati shteteror për Emigracionin për të dhënë opinionin e vet mbi mundësinë, nëse oligarku rus duhej lejuar të transferohej në kantonin e Valais (Valè) apo jo.
Abramovich, i cili zotëron një super rezidencë 90 milionë paundëshe në “Kensington Palace Gardens” të Londrës, kishte aplikuar për leje banimi në Zvicër në korrik të vitit 2016, me shpresën për ta kthyer vendin e famshëm si resort skish, Verbier, në “shtëpinë” e tij zyrtare.
Gjithsesi, pas një rishikimi të detajuar të dokumenteve në lidhje me një prej njerëzve më të pasur të botës, policia ngriti një sërë shqetësimesh. Sipas “Tamedia”-s, policia raportoi se Abramovich njihej për “dyshimet për pastrim parash dhe kontaktet e supozuara me organizata kriminale”. Policia vlerësoi gjithashtu se, ekzistonin arsye të forta për të besuar se “asetet e aplikuesit janë, të paktën pjesërisht, me origjinë të paligjshme”.
Avokati i Abramovichit, Daniel Glasl iu është përgjigjur pretendimeve tronditëse, duke dorëzuar një padi me kërkesë korrigjimin e fakteve nga ana e policisë federale. Ai tha se planifikon gjithashtu të dorëzojë një padi penale kundër kujtdo që shpërndante informacionin. Por pavarësisht kësaj, medie të huaja ndërkombëtare, si “The Guardian”, nuk e kanë lënë rastin t’iu ikë nga duart.
“Çdo sugjerim, se Abramovich është i përfshirë në pastrim parash apo ka kontakte me organizata kriminale, është tërësisht fals. Abramovich nuk është akuzuar kurrë për përfshirje në pastrim parash, e madje nuk ka asnjë precedent penal. Ai nuk ka pasur kurrë, as nuk është pretenduar ndonjëherë madje, kontakte me organizata kriminale”, thotë avokati i tij.
Pretendimet gjithsesi nuk bazohen mbi ndonjë vendim gjyqësor, pasi oligarku rus nuk është dënuar kurrë në Zvicër. Por, ato bazohen në informacionet policore që vështirë se mund të verifikohen lehtësisht, ndaj për këtë arsye Abramovich prezumohet i pafajshëm për çdo rast.
Në shkurt, oligarku rus siguroi një urdhër që ndalonte përmendjen në media të shqetësimeve të policisë. Por, ai vendim është përmbysur në një proces ligjor që përfundoi të premten, kur Gjykata Supreme federale e Zvicrës refuzoi apelimin e Abramovich. “Tamedia” e publikoi historinë mëngjesin e së martës.