Fokusi i Ministrisë së Infrastrukturës në projekte për Prishtinën nuk kanë të bëjnë me kandidaturën e mundshme të ministrit Arban Abrashi për të parin e kryeqytetit, në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Rregullimi i hyrjes prej Grashticës, zgjerimi i rrugës për Hajvali, një lidhje e rrugës për Podujevë dhe financimi i Rrugës A janë disa nga projektet që Ministria e Infrastrukturës ka iniciuar së fundmi, ndërsa Abrashi ka thënë në emisionin “038” se kjo është “vetëm për t’i ndihmuar Prishtinës”.
Si ish-kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të parin e kryeqytetit, Abrashi nuk ka mohuar nëse do të kandidojë sërish për postin që nuk e mori për pak vota në zgjedhjet e fundit, në garën me Shpend Ahmetin. Ai ka thënë se ka kërkesa brenda partisë që ai të jetë kandidat, por ka thënë se duhet të pritet “sepse vjen koha për të diskutuar për emrat”.
“Kemi qasje ndryshe. S’dua të merrem me ish-kolegët. Kemi punuar gjatë për arritjen e kësaj marrëveshje. Kjo pozitë më jep mundësinë të kthej diçka prapa. Janë projekte të mira. Realisht janë bërë shumë projekte që kur kam ardhur si ministër. Mendoj se i zgjidhim problemet. Jo lidhje për vota a kandidim, por t’i ndihmojmë Prishtinës. Kam përmendur shpeshherë Gollakun dhe po e lehtësojmë këtë e po mundohemi të nxisim investimet. LDK-në e karakterizon demokracia e brendshme ku njerëzit ose promovojnë njërin apo tjetrin kandidat. Kjo është shenjë e demokracisë, por e vërteta është se ende s’janë diskutuar kandidaturat”, ka thënë ai.