Abrashi takon gratë, iu premton gjysmën e drejtorive

Prishtinë | 09 Tet 2017 | 20:31 | Nga

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një bashkëbisedimi me gratë e kryeqytetit, sikur edhe më parë, është zotuar publikisht se gjysma e drejtorive të komunës së Prishtinës do të udhëhiqen nga gratë dhe vajzat.

“Nga 13 drejtori sa i ka Komuna e Prishtinës, të paktën 6 do të udhëhiqen nga gratë ose vajzat. Prishtina ka shumë gra dhe vajza të zonja, të cilat dinë të kontribuojnë shumë më mirë se burrat, por atyre ju ka munguar shansi që ta dëshmojnë veten. Në qeverisjen e LDK-së në Prishtinë gratë dhe vajzat do të kenë mundësi të mëdha”, tha Abrashi.

Ai e ka quajtur të papranueshme uljen e subvencioneve për organizatat e grave nga komuna e Prishtinës, madje çka është edhe më tragjike, komuna nuk i ka përkrahur as strehimoret e grave.

“Prioriteti i parë i ynë është hapësira në vendimmarrje për gratë dhe vajzat, sepse e di që ka shumë gra të zonjat. Kemi menduar politikat tjera për gratë duke u bazuar edhe në përvojat në ministri. Kam përkrahur vazhdimisht projektet e grave dhe shoqatat e tyre. Të njëjtën do ta bëjë edhe në komunë”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se ka pas raste në ministri kur ka përkrahur organizata të grave në fushën e IT-së, ose në tekstil dhe të njëjtat sot i kanë nga 20 punëtore.

“Bashkë, ne do të krijojmë kapacitete të mjaftueshme për sistemimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla, publike e private, që t’u mundësojmë nënave e motrave tona të realizojnë potencialin e tyre profesional e personal dhe të drejtën për të qenë qytetare aktive”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se është krenar që “që brenda shtëpisë sonë politike ka kaq shumë gra e vajza, të cilat janë të profileve të ndryshme dhe do të jenë artikuluese të programit tonë për qeverisjen e Prishtinës gjatë mandatit të ardhshëm”.

Ai ka thënë Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e qendrës së djathtë dhe e integruar plotësisht në familjen e Partive Popullore Evropiane, është e vendosur që ta avancojë rolin e gruas, sepse ne jemi plotësisht të bindur se kështu ne vazhdojmë traditën e ruajtjes së familjes, si një vlerë e çmueshme e traditës sonë kombëtare, por edhe si vlerë e civilizimit tonë.

“Qeveria komunale e Prishtinës, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Unë, jam i bindur se do të angazhohen veçanërisht për zbatimin e ligjit për barazi gjinore dhe ligjeve të tjera që përkrahin pozitën më të mirë të gruas në shoqëri. Buxhetimi gjinor në komunën e Prishtinës do të sjellë gjithashtu një mundësi më të madhe për zhvillimin dhe avancimin e pozitës së gruas”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se në sektorin e arsimit do të punohet për pjesëmarrje të barabartë të dy gjinive në arsimim, si në arsimin parashkollor, fillor, atë të mesëm, e po ashtu edhe në arsimin e lartë.

Ne do të bëjmë financimin e arsimit të grave, me theks të veçantë në ato fusha që janë deficitare dhe në të cilat gratë mund të japin kontribut më të madh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme