Abuzimi nga mësimdhënësi në Drenas, Prokuroria nis hetim ndaj vajzës për “kallëzim të rremë”

Prishtinë | 12 Shk 2019 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Që rreth një vit 18 vjeçarja A.G. është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit për veprën penale deklarim i rrejshëm. Një hetim të tillë Prokuroria e Shtetit kanë thënë se e kanë nisur për 18 vjeçaren pasi e njëjta e kishte ndryshuar deklaratën përmes të cilës e shfajëson mësimdhënësi Sh.Xh për abuzim seksual siç e kishte denoncuar fillimisht.

Përgjatë këtij njoftimi ndër të tjerash është theksuar se vajza nga Drenasi kishte dhënë dy deklarata kontradiktore dhe në bazë të kësaj dhe ekzaminimeve të bëra del se veprimet e të dyshuarit Sh.Xh (mësimdhënësi) nuk qëndrojnë elementet inkriminuese për veprën penale ‘Keqpërdorim seksual’.

Përpos kësaj nga Prokuroria është theksuar se prokurori i çështjes përpilon shënim zyrtar, me të cilën kërkon që të iniciohet procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale, Lajmërimi apo kallëzimi i rremë, nga neni 390 par. 2 lidhur me par. 1, të KPRK-së, dhe kërkon që ky shënim zyrtar të konsiderohet kallëzim penal.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se lidhur me rastin për dyshim të keqpërdorimit seksual ndaj të miturës nga Drenasi, A. G., ka pranuar kallëzim penal më 21.09.2017, kurse, prokurori i çështjes ka marrë aktvendim per fillimin e hetimeve më 10.01.2018.

Prokurori i çështjes, me rastin e intervistimit të dëmtuarës së mitur, A. G., më 11.01.2018, fillimisht e ka njoftuar të njëjtën me të drejtat e saj, konform nenit 62, 63, 217 dhe 218 të KPKP-së, në praninë e përfaqësuesit ligjor (babait), mbrojtësit të viktimave, avokatit sipas detyrës zyrtare, si dhe, avokatit me autorizimin e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit të së miturës, është vërejtur se e njëjta e ka mohuar në tërësi deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, më 14.09.2017, me të cilën deklaron se, gjatë gjithë kohës ka pasur keqpërdorim seksual nga i dyshuari, Sh. Xh. Përkundër insistimit të vazhdueshëm të prokurorit që e dëmtuara ta thot të vërtetën, dhe nëse e bën të kundërtën, prokurori do të ushtroj kallëzim penal ndaj saj, për deklarim të rrejshëm, ajo me çdo kusht i ka refuzuar të gjitha deklarimet e mëparshme, me arsyetimin se deklarata e parë e dhënë në Policinë e Kosovës, ka qenë në tërësi e trilluar.

Me qëllim të grumbullimit të provave gjatë fazës së zhvillimit të hetimeve, prokurori i rastit, në bazë të kërkesën së tij, ka pranuar nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, Ekzaminimin Gjinekologjik-Fizik për të dëmtuarën, të dt. 15.09.2017. Po ashtu, prokurori i çështjes, ka intervistuar edhe të dyshuarin, Sh.XH., më 11.01.2018, i cili në tërësi i ka mohuar pretendimet e deklaruara nga e dëmtuara, në deklaratën e parë të dhënë në Policinë e Kosovës. Bazuar në rezultatet e të gjitha këtyre veprimeve hetimore, prokurori i rastit merr aktvendim për pushimin e hetimeve, të evidentuar me PP/II nr. 5763/17, të dt. 19.01.2018, me arsyetimin se, për rastin në fjalë, meqenëse ka pasur dy (2) deklarata kontradiktore, dhe ekzaminimin mjeko-ligjor, i cili nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat konkret, vjen në përfundim se në veprimet e të dyshuarit, Sh. Xh., nuk qëndrojnë elementet inkriminuese për veprën penale, Keqpërdorim seksual, nga neni 235 të KPRK-së.

Meqenëse prokurori i rastit ka pasur dy (2) deklarata kontradiktore nga e dëmtuara, prokurori i çështjes përpilon shënim zyrtar, më 19.01.2018, me të cilën kërkon që të inicohet procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale, Lajmërimi apo kallëzimi i rremë, nga neni 390 par. 2 lidhur me par. 1, të KPRK-së, dhe kërkon që ky shënim zyrtar të konsiderohet kallëzim penal.

Kurse, për rastin e dytë që është duke u zhvilluar procedurë penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilën çështje penale është e dëmtuar e njëjta, prokuroria do ta mbajë të informuara opinionin për ecurinë e rrjedhës së procedurës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme