Adem Mikullovci do të jetë deputeti më i moshuar në Kuvendin e Kosovës. Aktori që para 11 qershorit iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar një ulëse në legjislaturën e re të Kuvendit, duke grumbulluar 12 mijë e 641 vota.
Aktori i njohur nga Vushtrria, Adem Mikullovci, do të ketë rastin që në mandatin e tij të parë si deputet i Kuvendit të Republikës se Kosovës, ta drejtojë të paktën një seancë të saj. Kjo, pasi Mikullovci është deputeti më i moshuar i legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës dhe i takon që ta kryesojë seancën e konstituimit të legjislaturës së re.
Deputeti 78 vjeçar i VV-së, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga KQZ-ja ka marrë 12 mijë e 641 vota në gjithë Kosovës, shkruan Gazeta Express. Rrjedhimisht, emri i tij figuron në mesin e më të votuarve në partinë e Albin Kurtit, ani pse artisti kosovar iu bashkua VVsë më pak se një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit.
Adem Mikullovci i lindur në vitin 1939 në Vushtrri, ka qenë në mesin e deputetëve të cilët në vitin 1990 kishin shpallur Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut.
Në legjislaturën e fundit të Kuvendit, që u shpërbë në maj të këtij viti, deputetja më e vjetër për nga mosha ishte Flora Brovina e PDK-së. Megjithatë, Brovina e cila ka fituar po ashtu, serish, ulëse në Kuvend, është 10 vite më e re se Mikullovci.
Deputetja e PDK-së me 7544 vota, Flora Brovina ka lindur më 1949 në Skenderaj.