Adem Mikullovci, në Kosovë njihet në radhë të parë si aktor. Por, ai mbahet mend edhe si delegat i Kuvendit të Kosovës në kohën e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 2 korrik 1990.
Tani, Mikullovci është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Si deputeti më i vjetër, ai së bashku me deputetin më të ri të përbërjes së ardhshme të legjislativit do të drejtojnë seancën e parë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës.
Ai beson se Vetëvendosje do të formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe përjashton çdo mundësi që ai ta votojë ndonjë kandidat për kryeministër nga subjektet tjera politike.
“Qeverinë do ta formojmë ne si partia më e votuar, me numrin më të madh të deputetëve, pa koalicion me askënd. Kështu që pres që pas disa ditësh, Presidenti i Kosovës ta emërojë Albin Kurtin si kryeministër, si kandidatin më të votuar dhe Kurti ta formojë Qeverinë e re”, ka thënë Mikullovci në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
I pyetur nëse do të votojë për kandidatin e PAN-it për kryeministër, ashtu sic është raportuar në disa media, Mikullovci ka thënë se “mund të ndodhë gjithçka në jetë, por një nuk mund të ndodhë, që unë të votoj për PAN –in, pra të ndërroj ideologjinë time.”
“Pse iu kam bashkëngjitë unë Vetëvendosjes – për me qenë pjesëtarë i një partie që po vjen, që do të sjellë ndryshime për të mirë, dhe këto ndryshime do t’i sjellë Vetëvendosja”, ka shtuar ai.