Ademi: Stadiumi “Fadil Vokrri” i pamjaftueshëm për tifozët e shumtë të Kosovës

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në ka komentuar rastin e pritjeve të gjata dhe problemeve me shitjen e biletave, duke thënë se stadiumi “Fadil Vokrri” është i pamjaftueshëm për kërkesat e shumta të shikuesve.

Ademi ka thënë për ndeshjen kundër Azerbajxhanit biletat do të shiten online, por ka thënë se një vend me 2 milionë banorë e ka të pamjaftueshëm stadiumin me vetëm 12 mijë ulëse.

“Jo të gjithë kanë fatin ta marrin një biletë. Është i pamjaftueshëm stadiumi. Është e pamjaftueshme që një shtet me 2 milionë banorë të ketë një stadium me 12 mijë ulëse”, ka thënë Ademi që shton se sistemi online për shitje të biletave do të ndërpres pritjet e gjata për biletë, por jo edhe kërkesat e mëdha për ato.

“E kemi filluar çështjen me sistemin online. Kërkon kohë. Nuk do të ketë radha dhe shtyrje, por do të jenë të njëjtat bileta dhe do të jetë i njëjti stadium. Lus për durim, lus edhe ata që nuk kanë biletë që të jenë tifozë të përfaqësueses”, ka shtuar kreu i FFK-së në “Express Intervistën” në KTV.

Ai ka sqaruar se në pikat shitëse në Prishtinë kanë qenë rreth 7 mijë bileta, ndërsa në qytetet tjera të Kosovës janë shitur nga 1 mijë bileta.

“Qytetet tjera kanë pasur nga 1 mijë bileta. Në Prishtinë kanë qenë katër pika dhe kanë qenë rreth 7 mijë bileta. Katër mijë kanë qenë nëpër qytetet tjera. Nuk ka mundur një njeri të marrë më shumë se pesë bileta. Kanë mundur të blejnë shokët biletat dhe nuk është në dorën tonë që ta kontrollojmë”, ka sqaruar Ademi.

Ai ka bërë të ditur se për ndeshjen me Azerbajxhanin biletat mund të blihen online me kartela bankare dhe se një person mund të blejë deri në tre bileta, por për këtë pret udhëzimet nga UEFA.

“Ata që kanë kartelë bankare do të mund të blihen, do të kufizohet me dy apo tri bileta. Ende nuk kemi vendosur pasi duhet koordinuar me UEFA-n. Me UEFA-n duhet të këshillohesh edhe për një baner të tifozëve, lëre më për çështje të biletave”, ka thënë veç të tjerash Ademi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme