Administrata e Biden do t’i kërkojë Kongresit të miratojë shitjen e armëve prej 1.1 miliard dollarësh për Tajvanin

Prishtinë | 30 Gus 2022 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Administrata e Joe Biden planifikon t’i kërkojë zyrtarisht Kongresit të miratojë shitjen e armëve të vlerësuara prej 1.1 miliard dollarësh për Tajvanin.

Sipas Politico, përcjell Telegrafi, lajmi vjen ndërsa Kina vazhdon të dërgojë çdo ditë anije luftarake dhe avionë në ngushticën e Tajvanit, vetëm disa javë pasi Nancy Pelosi vizitoi ishullin vetëqeverisës dhe dënoi përpjekjet e Pekinit për të izoluar dhe frikësuar Tajvanin.

Në përgjigje të vizitës së Pelosit, Pekini nisi stërvitje ushtarake masive, të paprecedentë rreth Tajvanit që përfshinin gjuajtjen e raketave mbi ishull për herë të parë.

Siç thekson Politico, paketa, e cila është ende në një fazë të hershme, ndër tjerash përfshin 60 raketa AGM-84L Harpoon Block II për 355 milionë dollarë, si dhe 100 raketa taktike ajër-ajër AIM-9X Block II Sidewinder për 85.6 milionë dollarë.

Ligjvënësit ka të ngjarë të miratojnë shitjen, por procesi mund të zvarritet duke pasur parasysh pushimet e vazhdueshme të Kongresit.

Frika është rritur vitet e fundit se Kina po pozicionohet për të marrë Tajvanin me forcë ushtarake bazuar në besimin e saj se ishulli është pjesë e Kinës.

Si përgjigje, SHBA-të dhe vendet e tjera perëndimore kanë kërkuar të forcojnë mbrojtjen e Tajvanit dhe të lavdërojnë demokracinë e tij, në kontrast të plotë me autoritarizmin e Pekinit. 

Të ngjashme