Administrata e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ka filluar sot një grevë të përgjithshme për shkak të mosrealizimit të kërkesës së tyre për shkrirjen e stimulimit në pagën bazë.
Kjo grevë, sipas grevistëve, do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
Afrim Qela, anëtar i Këshillit Grevist, tha për KALLXO.com se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre.
“Greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesës ose të kemi marrëveshjen me shkrim se kjo mund të realizohet në pagën e muajit korrik”, tha Qela.
Kjo grevë nga Administrata e fakultetit ka filluar sot në orën 8:00 dhe deri më tani askush nga zyrtarët e këtij fakultetit nuk i ka vizituar ata.
I kontaktuar nga Kallxo.com zëdhënësi i Universitetit të Mitrovicës, Ahmet Jashari, tha se greva është e drejtë e plotë e punëtorëve, por tha se vendimi për ta nuk është në dorën e tyre.
“Menaxhmenti i Fakultetit i mbështet dhe i pranon kërkesat e tyre dhe i konsideron si të drejta sepse punëtorët kanë të drejtë për shkrirjen e stimulimit në pagën bazë por vendimi nuk është në dorën tonë por në dorë të Ministrisë e Arsimit”, tha zëdhënësi Jashari.
Ai shtoi se Universiteti i ka përfunduar në kohë të gjitha kërkesat e tyre dhe i janë dërguar Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Financve.
“Ato duhet të dakordohen pasi që ne konsiderojmë që i është bërë e padrejtë punëtorëve”, tha Ahmet Jashari.