Administrata në sfidë me gjuetarët në zona të caktuara për gjueti

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka shprehur qëndrimin se gjuetia pa leje në Malet e Sharrit paraqet një problem të madh, që madje rrezikon edhe zhdukjen e disa llojeve të faunës së kësaj zone.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht ka sfida edhe rreth zonave të përcaktuara për gjueti dhe ka shpjeguar se ka kontaktuar me hisedarët, si shoqatat e gjuetarëve dhe institucionet përkatëse për të gjetur zgjidhje në këtë drejtim si dhe për ta ndaluar rrezikun për zhdukjen e kafshëve nga gjuetia ilegale, shkruan sot Koha Ditore.

Paraprakisht kreu i Komunës ka vlerësuar se Malet e Sharrit kanë potencial të madh turistik dhe se konsiderohen si një aset shumë i rëndësishëm për komunën e Prizrenit.

“Këto male janë të pasura me 2000 lloje bimësh, 200 lloje shpendësh dhe 69 lloje të faunës që u takojnë llojeve të ndryshme. Por, një problemi i madh te këto male është gjuetia pa leje, që po rrezikon madje edhe zhdukjen e disa llojeve të faunës së kësaj zone. Në rajonin e Prizrenit janë caktuar 5 zona për gjueti, ku përfshihen edhe Malet e Sharrit, por këto zona nuk janë respektuar për shkak të rritjes së sipërfaqes së Parkut Nacional, me ç’rast i ka prekur edhe 3 zonat e caktuara për gjueti. Së bashku me përfaqësuesit nga shoqatat e ndryshme që merren me gjueti, drejtorinë për administrimin e PK “Sharri” dhe Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, organizuam një takim të përbashkët për të diskutuar rreth kësaj çështjeje me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje në favor të të gjithëve, sidomos në favor të faunës”, ka thënë Haskuka.

Gjatë takimit sipas tij kanë dalë sugjerimet dhe kërkesat e palëve dhe se “shumë shpejt do të marrim hapa konkretë për ta ndaluar rrezikun për zhdukjen e kafshëve nga gjuetia ilegale”. “Prizreni është qytet me fat që ka një pasuri kaq të madhe siç janë malet e Sharrit”, është shprehur Haskuka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme