Komandanti i Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s, admirali James Foggo ka qëndruar për dy ditë në një vizitë në Serbi, me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, njoftojnë mediat e Beogradit.
Admirali Foggo në një intervistë për servisin publik, RTS-në, tha se KFOR-i gjatë dy dekadave të shkuara ka bërë punë shumë të mirë në Kosovë.
Ai ka biseduar me zyrtarët serbë për bashkëpunimin midis Ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it, për aktivitetet e përbashkëta në kuadër të programit Partneriteti për paqe si dhe për aktivitetet nga domeni i stërvitjeve, transmeton Koha.net.
Në intervistën për RTS-në, admirali Foggo ka folur edhe për sigurinë e serbëve në veri të Kosovës në “rast se Policia e Kosovës përpiqet ta marrë Veriun”.
Foggo ka thënë se KFOR-i përbën hallkën e tretë në zinxhirin teknik të reagimeve, vjen pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Europian – EULEX-it. “Mirëpo KFOR-i ka përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë dhe ambientit të sigurt në të gjitha rrethanat në përputhje me Rezolutën 1244”, siç citohet të ketë thënë admirali i NATO-s.
Ai konsideron se KFOR-i gjatë njëzet vjetëve të shkuara ka kryer punë goxha të mirë në Kosovë.
“Gjatë verës kemi shënuar 20-vjetorin e pranisë në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, fatkeqësisht, 213 ushtarë të NATO-s kanë dhënë jetën për të ruajtur paqen”, është shprehur Foggo.
Ai po ashtu ka thënë se KFOR-i ka mbajtur kontakte e bashkëpunim të ngushtë me Ushtrinë e Serbisë në lidhje me këtë çështje. “Mendoj se deri tash ka qenë mirë”, ka vlerësuar admirali Foggo, siç citohet nga mediat e Beogradit