Të gjithë 143 personat, përfshirë udhëtarët dhe ekuipazhin e aeroplanit kanë shpëtuar pasi një “Boeing 737” rrëshqiti nga pista dhe ra në një lumë gjatë aterrimit në një aeroport në Florida të Shteteve të Bashkuara.
Aeroplani i kompanisë “Miami Air” u përpoq të lëshohej në tokë gjatë motit me stuhi në Jacksonville pasi ishte nisur nga Guantanamo të Kubas rreth orës 9 e 40 minuta sipas kohës lokale.
Zyrtarët amerikanë njoftuan se 136 udhëtarë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit kanë shpëtuar pasi aeroplani ra në ujin e cekët të lumit.
Autoritetet gjithashtu bënë të ditur se 21 persona të rritur janë dërguar në spitalet lokale për shkak se kanë pësuar lëndime të lehta, por janë jashtë rrezikut për jetë.
Njëra nga udhëtaret e këtij aeroplani, avokatja Cheryl Bormann, tha se fluturimi u realizua me katër orë vonesë dhe se lëshimi në tokë ishte vërtet i vështirë për shkak të bubullimës dhe vetëtimës.
Kompania “Miami Air” operon me flotën e aeroplanëve të tipit “Boeing 737”. Përfaqësuesit e kësaj kompanie nuk janë përgjigjur lidhur me këtë ngjarje. Kjo kompani është e kontraktuar nga ushtria amerikane dhe kryen fluturime dy herë në javë nga Florida në Kubë, shkruan “The Guardian”.