Kur mbeten më pak se 24 orë nga fluturimi i parë inaugurues, ministrja Belinda Balluku thotë se gjithçka në Aeroportin e Kukësit, Zayed-Flatrat e Veriu, është gati. Pasagjerët e parë të këtij aeroporti do të jenë shqiptarët nga Londra.
“Çunat e Londrës janë gati dhe do të priten nga kryeministri. Po merremi me detajet e fundit. Një aeroport low cost që ashtu do t’i ketë edhe linjat që do të operojnë aty. Ky është aeroport rajonal e jo vetëm i Veriut të Shqipërisë, pra për t’i shërbyer trevave shqiptare”.
Sipas ministres ky aeroport do t’i japë një hov zhvillimi të gjithë zonës së Kukësit.
“Të punësuarit në këtë aeroport do të jenë nga zona rreth Kukësit përveç atyre pozicioneve që kërkojnë trajnime apo licencime të specializuara. Të gjitha punësimet e tjera do të jenë përreth Kukësit”.
Pas Kukësit fokusi i Ministrisë së Infrastrukturës do të zhvendoset në Aeroportin e Vlorës, për të cilin Balluku tha se është gati të firmoset edhe kontrata koncensionare.
“Fokusi i Ministrisë së infrastrukturës që ka qenë këtu do të shpërndahet më pas në një tjetër aeroport që është ai i Vlorës. Në datë 20 firmosim kontratë koncensionare midis fituesit të aeroportit dhe ministrisë, ndërkohë që këtu do të vijojë të bëhet certifikimi”.
Fluturimet e rregullta nga Aeroporti i Kukësit pritet të fillojnë në muajin Maj, ndërkohë që destinacionet kryesore do të jenë qytetet e Zvicrës, Anglisë, Gjermanisë dhe Italisë./tvklan.al/