Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 28 qershor të rifillojë transportit ajror dhe të hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë Hoti, janë shfuqizuar vendimet e mëparshme me të cilat pezulloheshin linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm.
Në mbledhjen e ekzekutivit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paraqitur për votim para Kabinetit Qeveritar një propozim-vendim, me të cilin shfuqizohen dy vendime të qeverisë paraprake që pezullonin të gjitha linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm.
Megjithëkëtë, në draft-vendim theksohet se rifillimi i transportit ajror dhe hapja e aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, bëhet vetëm për vijat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë dhe shëndetit. Udhëtarët që hyjnë në Kosovës, sipas këtij dokumenti, rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë.
Zemaj e ka propozuar hapjen e linjave të transportit ajror e tokësor, por edhe heqjen e kufizimit të organizimeve publike, pasi ka konsideruar se situata epidemiologjike në vend konsiderohet e menaxhueshme.