Nga 58 pasagjerë sa ishin të pranishëm, 2 prej tyre kanë “vdekur” pas “rrëzimit” të aeroplanit në Aeroportin e Prishtinës. Panik e madhe u pa edhe tek familjarët, raporton EkonomiaOnline.
Por, e gjithë kjo ishte vetëm një inskenim i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në raste të aksidenteve ajrore, për t’u përgatitur për rastet emergjente dhe të papriturat që mund të ndodhin.
Drejtori i operimeve të aeroportit, Adem Gashi, tha se qëllimi i ushtrimeve është të testohen kapacitetet e aeroportit në raste të fatkeqësive.
“Ky ushtrim mbahet çdo dy vite dhe është ushtrim gjithëpërfshirës, pasi i përfshin të gjitha agjencionet shtetërore dhe të gjitha resurset e brendshme të aeroportit që reagojnë në raste të jashtëzakonshme. Qëllimi i ushtrimeve është që t’i shohim dhe t’i testojmë kapacitetet tona edhe si aeroport edhe si shtet që në raste të fatkeqësisë të japim maksimumin që të shpëtojmë jetët e njerëzve dhe të minimizojmë vendet me njerëz edhe në të mira material”, tha ai.
Ai tregoi edhe skenarët në raste të aksidenteve të mundshme ajrore.
“Janë të gjithë skenarët e përfshirë. Ne i kemi 3 zona, të gjithë të lënduarit largohen nga zona e rrezikut dhe transferohen në zonën e sigurisë. Ne jemi të përgatitur për emergjenca të pritura dhe të papritura”, tha Gashi.