Pezullimi i fluturimeve në Aeroportin e Stambollit është shtyrë të martën për shkak të reshjeve të dendura të borës, përderisa moti dimëror shkaktoi pengesa në transport në mbarë qytetin, ku banojnë rreth 16 milionë njerëz.
“Pezullimi i operacioneve të fluturimit është shtyrë deri në orën 10:00 më 25 janar për shkak të kushteve të papërshtatshme të motit”, thuhet në uebfaqen e Aeroportit të Stambollit.
Autoritetet turke të martën shpallën pushim administrativ për tërë punëtorët e sektorit publik për ta zvogëluar lëvizshmërinë, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, tha se automjetet private nuk do të lejohen rrugëve deri në orën 10:00, gjatë kohës kur ekipet emergjente vazhdojnë t’i pastrojnë rrugët.
Të hënën, kompania e njohur ajrore turke, “Turkish Airlines”, tha se i ka anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Stambollit, pasi aeroporti e ndërpreu operimin.