Aeroporti i Prishtinës fiton 4 çmime në Best Business Awards 2017

Prishtinë | 16 Sht 2017 | 12:57 | Nga

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është shpallur fitues në katër kategori të Best Business Awards 2017:
• Komunikimi më i mirë (Best Communication)
• Fokusi më i mirë drejt klientëve (Best Customer Focus)
• Përgjegjësia korporative ndaj shoqërisë (Best CSR)
• Biznesi më i mirë i madh (Best Large Business)

Përmirësimi i të gjitha shërbimeve të ofruara, ndërtimi i infrastrukturës moderne të IT, qasja e përgjegjshme ndaj klientëve dhe komunitetit përreth, si dhe rritja e konsiderueshme e biznesit kanë qenë disa nga arritjet kryesore që janë vlerësuar nga juria e “Best Business Awards”, thuhet në një komunikatë të ANP-së.

“Pas privatizimit dhe transformimit të tij, ANP “Adem Jashari” ka arritur të veçohet si një nga aeroportet me rritjen me të shpejtë në botë. Aeroporti i ri është ndërtuar duke përdorur teknologjinë e re të mençur dhe duke u mundësuar punëtoreve të tij që adaptohen në botën e re komerciale”, është thënë me këtë rast në njoftimin e “Best Business Awards”.

Pas pranimit të këtyre çmimeve, drejtori gjeneral i Limak Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Haldun Firat Kokturk, deklaroi se çmimet e Best Business janë disa nga çmimet më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar. “Për shkak të profilit të lartë të këtyre çmimeve, ekziston një numër i madh i aplikimeve prandaj jemi të kënaqur që kemi arritur të dëshmohemi si të suksesshëm në punën tonë”, ka theksuar Kokturk

Këto çmime e rrisin numrin e çmimeve të fituara nga Aeroporti i Prishtinës për këtë vit në nëntë, pas pranimit të dy çmimeve nga Communitas Awards dhe tri të tjerave nga International Business “Stevie” Awards, duke përfshirë çmimin Kompania e Vitit në transport që iu nda muajin e kaluar.

“Best Business Awards” kanë në përbërjen e tyre të vlerësimit një panel prej 20 ekspertëve të pavarur të cilët e bëjnë përzgjedhjen e fituesve në bazë të kritereve strikte për çdo kategori dhe sektor.

Të ngjashme