Në mënyrë që kompanitë të jenë në hap me ndryshimet e shpeshta në botën e aviacionit, që kryesisht rezultojnë si pasojë e zhvillimeve të avancuara teknologjike, është më se e nevojshme që stafi të trajnohet në përputhje me ndryshimet e arritura. Për këtë, Qendra e Trajnimeve të kompanisë Limak që menaxhon ANP “Adem Jashari” tanimë është autorizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror – IATA për ofrimin e shërbimeve trajnuese ndaj anëtarëve tjerë të industrisë së aviacionit.
Më se nëntë kurse të ndryshme të certifikuara nga IATA ofrohen nga instruktorë të specializuar të ANP “Adem Jashari” me eksperiencë në këtë fushë ashtu që të interesuarve t’u ofrohen shërbime të kualitetit sa më të lartë. Në anën tjetër, Aeroporti i Prishtinës ofron edhe trajnim të aprovuar nga kompanitë ajrore Swiss Interntional Air Lines dhe Swiss European Air Lines. Trajnimet mund të realizohen në hapësirat e ANP “Adem Jashari” apo edhe në lokacionin ku të interesuarit kërkojnë.
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror është një ndër organizatat më të rëndësishme të aviacionit e themeluar në vitin 1945 dhe ka për qëllim promovimin e sigurisë, besueshmërisë dhe ofrimin e shërbimeve të favorshme për të gjithë udhëtarët e trafikut ajror, duke u mbështetur në bashkëpunimin ndërmjet kompanive ajrore. Sot ajo numëron 280 kompani ajrore anëtare nga 120 vende të ndryshme të botës.
Qendra Trajnuese e ANP “Adem Jashari” momentalisht ofron më shumë se 30 kurse profesionale duke përfshirë trajnimet e rregullave të transportit për mallra të rrezikshme dhe të gjitha janë në përputhje me kërkesat e IATA, ICAO, ISAGO dhe të aprovuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë.