Afaristi kosovar Shkëlqim Devolli, i cili po vazhdon qëndrimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me senatorin Roger Wicker.
Në takimin që është mbajtur në zyrën e senatorit në ndërtesën e Senatit Amerikan, në Washington DC, është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet të Kosovës dhe SHBA-së, me theks të veçantë bashkëpunimin në çështjet e ekonomisë dhe tregtisë.
Aksionari i Devolli Corporation i ka treguar senatorit Wicker për arritjet e korporatës të cilën e drejton, duke nënvizuar edhe eksportin prej rreth 200 milionë eurosh të dyshekëve Comodita në tregun amerikan. Devolli, gjithashtu, ka folur edhe për planet zhvillimore të korporatës kosovare dhe synimin për të thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Roger Wicker është senator i shtetit të Mississippit që nga viti 2007, kurse më herët ka shërbyer edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në vigjilie të qëndrimit të tij në SHBA, Devolli është duke zhvilluar edhe disa takime me kompani të ndryshme amerikane, të interesuara të bashkëpunojnë me Kosovën. Korporata të cilën e drejton Shkëlqim Devolli është vlerësuar si realizuesja e qarkullimit më të madh, me rreth 400 milionë euro, punëdhënësja më e madhe dhe tatimpaguesja më e madhe në Kosovë për vitin 2021.