Afati 15 ditor për dërgimin e komenteve, sipas IKD-së kufizon mundësinë e analizës së plotë të shtatë projektligjeve

Prishtinë | 08 Kor 2024 | 10:31 | Nga Diellza Gashi

Një afat prej 15 ditësh për dërgimin e komenteve kufizon mundësinë e analizës së plotë të projektligjeve nga palët e interesuara. Zgjatja e afatit siç e lejon Rregullorja për Standardet minimale për Procesin e Konsultimit Publik do të ndihmonte në përmirësimin e transparencës dhe gjithë përfshirjen më të madhe të palëve të interesuara dhe individëve që dëshirojnë të japin kontributin e tyre, raporton Ekonomia Online.

Kështu u shpreh hulumtuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ariana Rexha gjatë prezantimit të raportit “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”).

Sipas Rexhës, Rregullorja për Standardet minimale për Procesin e Konsultimit Publik, e cila ka qenë në fuqi deri më 29 qershor 2024, ka përcaktuar se “Për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 60 ditë kalendarike”, ndërsa Rregullorja e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës e redukton ketë afat në 30 ditë.

Tutje, hulumtuesja e IKD tha që më 10 qershor 2024, Ministria e Drejtësisë në platformën e konsultimeve publike publikoi gjithsej shtatë projektligje për komente, gjashtë prej të cilave dilnin nga reforma sipas Deklaratës së Zotimeve si dhe Projektligjin për Realizimin e të Drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor. Kështu, sipas saj, përballë situatës kur publiku kishte 15 ditë pune afat për të dhënë komente në gjithsej 7 Projektligje, MD nuk shqyrtoi mundësinë e zgjatjes së afatit për komente, siç përcaktohet me Rregullore.

Rexha theksoi se një afat prej 15 ditësh për dërgimin e komenteve kufizon mundësinë e analizës së plotë të projektligjeve nga palët e interesuara dhe se zgjatja e afatit siç e lejon Rregullorja e lartcekur do të ndihmonte në përmirësimin e transparencës dhe gjithë përfshirjen më të madhe të palëve të interesuara dhe individëve që dëshirojnë të japin kontributin e tyre.

Poashtu ajo tha që një afat kaq i shkurtër mund të perceptohet si tendencë për minimizim të kritikave dhe shpejtim të procedurave për miratimin e ligjeve ashtu siç i ka paraqitur propozuesi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të hënën, me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), publikoi raportin “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”).

Të ngjashme