AFD-ja propozon largimin e Gjermanisë nga BE-ja

Prishtinë | 12 Pri 2021 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Partia Alternativa për Gjermaninë do ta ketë pjesë të agjendës elektorale, që mbahen në shtator, nxjerrjen e vendit nga Bashkimi Evropian.

400 nga 600 delegatët e partisë gjermane të ekstremit të djathtë votuan pikat me të cilat do të konkurrojnë në zgjedhjet e shtatorit.

“E konsiderojmë të nevojshme daljen e Gjermanisë nga Bashkimi Evropian dhe themelimin e një grupi të ri interesi evropian dhe ekonomik,” deklaruan delegatët e AFD-së.

Ideja e AFD-së në Gjermani e ka marrë emrin “Dexit”, njësoj si Brexiti i Britanisë së Madhe vitin e kaluar. Sipas partive të tjera në Gjermani, kjo ide do të sillte fundin e BE-së dhe tregut të përbashkët.

Partia kryesore opozitare, e cila njihet për qëndrimet anti-myslimane dhe anti-emigracion, votoi edhe për ndalimin total të bashkimit familjar mes refugjatëve nëse do të vijë në pushtet, për një model emigracioni si të Japonisë.

Testet apo vaksina COVID-19 nuk do të jenë të detyrueshme.

“Gjermania. Por normale”, do të jetë slogani i tyre për zgjedhjet e vjeshtës.

Në pikën e rendit të radhës, AFD-ja do ta zgjedh edhe emrin me të cilin do të “luftojë” përballë konservatorëve të Angela Merkelit, vendin e së cilës po synojnë ta zënë njëri nga Markus Zeder ose Armin Lashet.

Pavarësisht se e kanë quajtur veten si partia “anti-bllokim”, AFD-ja nuk ka arritur të përfitojë nga vështirësitë ekonomike dhe sociale që rezultojnë nga pandemia, ose nga lëvizja kundër kufizimeve të pandemisë.

Partia ka parë një rënie të konsiderueshme në mbështetjen e saj. Ajo ka rënë në rreth 11 për qind në sondazhe nga gati 13 për qind sa ishte në zgjedhjet e vitit 2017, kur u bë opozita kryesore parlamentare.

Sondazhet paraprake e renditin CDU-CSU-në e Merkelit me rreth 27 për qind të votave, të dytët vijnë Të Gjelbrit, ndjekur nga Socialdemokratët. (Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme