Afrika thotë se izolimet e ashpra nuk janë më mjete për ta luftuar Covid-19

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari kryesor shëndetësor në Afrikë tha më 6 janar se izolimet e ashpra nuk janë më mënyra më e mirë për ta frenuar përhapjen e COVID-19.

John Nkengasong, drejtor i Qendrave afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve lavdëroi Afrikën e Jugut që ka aplikuar këtë qasje për t’iu përgjigjur valës së re të infektimeve të nxitur nga varianti Omicron i koronavirusit.

“Ne jemi shumë të inkurajuar atë që kemi parë në Afrikën e Jugut gjatë kësaj periudhe. Ata kanë shikuar të dhënat sa i përket ashpërsisë (së infeksioneve)”, tha ai gjatë një konference për media.

“Koha kur kemi përdorur izolime të ashpra si mjet (për ta luftuar pandeminë) ka mbaruar. Ne duhet të shikojmë se si të përdorim më me kujdes masat sociale dhe ato të kujdesit shëndetësor në një mënyrë të balancuar, teksa rritet përqindja e vaksinimit”, shtoi ai.

Që prej nëntorit të vitit të kaluar, Afrika e Jugut ka regjistruar rritje të rasteve me koronavirus. Në atë kohë, ky shtet njoftoi se kishte identifikuar variantin e ri Omicron.

Tani rastet kanë filluar të bien dhe Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë kufizim strikt, pasi ka thënë se të dhënat e para thonë se Omicron shkakton sëmundje më të lehtë.

Nkengasong tha se COVID-19 mund të bëhet endemik në kontinentin afrikan për shkak të fushatës së ngadalshme të vaksinimit të koronavirusit.

Më pak se 10 për qind e popullsisë së Afrikës është vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër COVID-19. Ndërkaq, gjatë katër javëve të fundit, në Afrikë rastet e reja janë rritur për 36 për qind, ndërkaq vdekjet për 8 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme