Afrikë, 400 elefantë ngordhin në mënyrë misterioze

Prishtinë | 04 Kor 2020 | 07:13 | Nga Ekonomia Online

Gjetja e qindra elefantëve të ngordhur në zonat jugore të Afrikës ka shtuar frikën se mbijetesa e gjitarëve më të mëdhenj të botës po rrezikohet nga një sëmundje e pashpjegueshme.

Ngordhja misterioze e më shumë se 400 elefantëve në shtetet afrikanojugore kanë shtyrë nisjen e hetimeve për shkaqet e ngjarjeve.

Autoritetet e republikës së Botsvanës, ku jetojnë rreth një e treta e të gjithë popullatës së elefantëve në Afrikë, njoftuan se kanë dërguar për analiza laboratorike në Zimbabve, në Afrikën e Jugut dhe në Kanada mostra të kafshëve gjitare të të gjitha moshave.

Sipas organizatës “Elefantët pa Kufij”, askush nuk mund ta shpjegojë ndarjen nga jeta të rreth 350 gjitarëve trupmëdhenj në këtë rajon.

Rastet e para iu raportuan qeverisë afrikane në fillimin e majit.

Nga një këqyrje treorëshe me avion e territorit, u arrit të pikasen skelete dhe trupa të ngordhur të kafshëve të shpërndara kudo nëpër fushat e thara veriperëndimore.

Inspektimet nga afër konstatuan sakaq se elefantët nuk ishin vrarë për t’u marrë fildishin apo për tregti, pasi në trupat e tyre nuk vëreheshin shenja të jashtme dhune.

Ekspertët thonë se ngordhjet në masë të këtyre kafshëve mund të shpjegohen me një sëmundje të re të panjohur, që mund të jetë zhvilluar nga helmimi i ujit ose i tokës ku ushqehen.

Shumë prej elefantëve të ngordhur këta muaj janë gjetur shtrirë me turirin në tokë, ndërsa elefantë të tjerë janë parë duke ecur përqark, çka tregon se mikrobi prek edhe sistemin e tyre nervor.

Paraprakisht është përjashtuar rreziku i plasjes, një tjetër sëmundje që vitin e kaluar vrau rreth 100 elefantë në Botsvanë.

Në Afrikë mësohet se jetojnë 130 mijë elefantë, shpesh duke prishur qetësinë e fermerëve lokalë të cilët ankohen se u dëmtojnë të mbjellat.

Organizatat për mbrojtjen e tyre thonë se pa ndërhyrje në legjislacion, gjitarët më të mëdhenj të Tokës rrezikojnë mbijetesën pas rreth 50 milionë viteve në planet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme