Afrim Tahirit i refuzohet ankesa nga Komisioni: S’kam prit përgjigje tjetër, ata janë të kontrolluar nga drejtoria

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Kirurgut Afrim Tahiri i është refuzuar ankesa nga Komisioni i Ankesave në QKUK. Tahiri ka thënë se nuk ka pritur përgjigje tjetër nga ky komision, i cili sipas tij është i kontrolluar nga drejtoria. Ai thotë se lëndën do ta dërgojë në gjykatë dhe do t’i padisë anëtarët e komisioneve si dhe ud. drejtoreshën e SHSKUK-së

Komisioni i Ankesave i QKUK-së e ka refuzuar ankesën e kirurgut Afrim Tahiri, i cili po pretendon se i është bërë e padrejtë në konkursin për përzgjedhjen e drejtorit të ri në këtë klinikë, shkruan Gazeta Shneta.

Në këtë konkurs është zgjedhur drejtor Enver Fekaj, i cili në testin me shkrim kishte dal i dyti pas Tahirit, ndërsa doli i pari pas intervistës me gojë.

Tahiri në ankesën e tij ka deklaruar se nuk është respektuar Neni 16 i Statutit të QKUK-së i cili përcakton se kandidatët për drejtor të klinikave zgjidhen sipas lëmive përkatëse, në këtë rast për Kirurgjinë Abdominale do të duhej të ishte kirurg abdominal.

“Kandidati fitues nuk është specialist i lëmisë përkatëse, respektivisht nuk është specialist i kirurgjisë abdominale, por është kirurg i përgjithshëm”, ka shkruar Tahiri në ankesën e tij.

Poashtu në këtë ankesë Tahiri thotë se “kandidati fitues Enver Fekaj nuk ka asnjë ditë përvojë pune në menaxhim shëndetësor të ndonjë institucioni shëndetësor, ndërsa unë Dr. Afrim Tahiri kam përvojë të gjatë pune në menaxhim të institucioneve shëndetësore, qoftë publik apo privat”.

Tahiri poashtu në ankesën e tij ka vënë në dyshim edhe poentimin nga komisioni gjatë intervistës.

Por të gjitha këto pretendime nuk i ka marr parasyshë Komisioni i Ankesave, pasi e ka refuzuar në tërësi ankesën duke thënë se janë respektuar të gjitha kriteret nga Komisioni vlerësues si dhe nga sektori i personelit.

Por Tahiri thotë se nuk ka pritur ndonjë përgjigje tjetër nga komisioni i ankesave, i cili sipas tij është i kontrolluar nga drejtoria e SHSKUK-së.

“Nga Komisioni i Ankesave nuk kam prit përgjigje tjetër, sepse ata janë të kontrolluar prej atyre që i kanë zgjedhë, drejtoria. Ata nuk janë përgjigjë në asnjë pikë të ankesës time”, ka deklaruar Tahiri.

“Dr. Artan Ahmeti (kryetar i Komisionit të Ankesave) e ka drejtor kryetarin e komisionit vlerësues Dr. Lulzim Kamberi, edhe normal që nuk mundet me marr ndonjë vendim që bie ndesh me vendimin e drejtorit”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se ankesën e tij do ta dërgoj tutje në gjykatë dhe do të ushtroj padi ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë në këtë proces.

“Unë pres që gjykata të marr vendim bazuar në fakte. Përndryshe do t’i padis ata që në këtë proces mendoj se kanë bërë shkelje sepse kanë funksionu si grupe, Komisionin përzgjedhës, Komisionin e Ankesave, sektorin e personelit dhe ud. drejtoreshën që me statut është mbikëqyrëse e konkursit”, ka deklaruar Tahiri.

Të ngjashme