Komuna e Lipjanit gjatë vitit të kaluar ka paguar gjithsej 187 mijë e 900 euro për vendime dhe procese të ndryshme gjyqësore ndaj mësimdhënësve, ndërkohë ky buxhet është shpenzuar nga kategoria për investime kapitale dhe nga kategoria për mallra dhe shërbime.
Rreth kësaj çështjeje ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, dega në Lipjan, për të sqaruar se këto shpenzime janë klasifikuar në pasqyrat financiare si keqklasifikim. Po ashtu edhe Auditori i Përgjithshëm në raportin e tij për vitin 2018 ka shpërfaqur pika shqetësuese për sa u përket planifikimit dhe realizimit të buxhetit në këtë komunë, shkruan sot Koha Ditore.
Albulena Kelmendi, këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e VV-së, ka thënë se e ka analizuar edhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm, i cili ka gjetur një varg parregullsish për Komunën e Lipjanit, për vitin e kaluar. Sipas saj, ky raport shpërfaq fatkeqësisht dobësi dhe lëshime skandaloze nga ana e Ekzekutivit gati në të gjitha sferat.